
Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, ka folur me shumë respekt për Jose Mourinhon para derbit të Madridit, që do të zhvillohet nesër (e diel).
Simeone, i cili në të kaluarën ka pasur rivalitet me trajnerin portugez, u shpreh me admirim të madh për Mourinhon, duke theksuar se e vlerëson shumë atë.
“Duke menduar kaq shumë vite pas… Nuk mund ta gjej përgjigjen për pyetjen tuaj. Kam shumë admirim për Mourinhon. Ai e di se sa shumë e vlerësoj”, deklaroi Simeone, kur u pyet se si ka evoluar që nga rivaliteti i tij i hershëm me “Special One”.
Duke folur për motivimin para derbit, trajneri argjentinas tha se ai ndryshon nga lojtari në lojtar, por theksoi se rivaliteti mes dy skuadrave është rikthyer fuqishëm në vitet e fundit.

“Ndryshon nga lojtari në lojtar, por nuk mund ta gënjejmë veten… Ekziston një rivalitet që kemi arritur ta ringjallim në vitet e fundit. Siguria është e rëndësishme në këto ndeshje”, u shpreh ai.
Simeone foli edhe për lojtarët e rinj dhe mënyrën se si duhet ta përballojnë presionin e një ndeshjeje të tillë. Ai tha se nuk është trajner që jep shumë këshilla, por preferon të ndajë përvojat e tij me futbollistët.
“Unë nuk jam nga ata që jap këshilla. Megjithatë, i ndaj përvojat e mia. Presioni dhe emocionet e një ndeshjeje si ajo e nesërmja në Metropolitano, me tifozët tanë, janë normale. Mbi të gjitha, qëndroni të qetë”, tha Simeone.
Në fund, Simeone theksoi rëndësinë e vetëbesimit, duke u bërë thirrje lojtarëve të besojnë në atë që po bëjnë, pavarësisht nëse rezultati do të jetë pozitiv apo negativ.
“Ekziston një fjalë që quhet vetëbesim; nëse je i sigurt në atë që po bën, gjërat mund të shkojnë mirë ose keq, por kjo është rruga e duhur”, përfundoi trajneri i Atletico Madridit./Kampionet/



