
Kosova ka shënuar fitoren e parë, duke mposhtur Irlandën me rezultat minimal 1-0, në një ndeshje ku “Dardanët” dominuan në pjesën më të madhe të statistikave, ndërsa heroi i mbrëmjes ishte kapiteni Vedat Muriqi.
Kosova e kontrolloi më shumë lojën, duke pasur 57 për qind të posedimit të topit kundrejt 43 për qind të Irlandës. Dominimi u reflektua edhe në fazën sulmuese, me Kosovën që regjistroi plot 22 goditje, ndërsa mysafirët vetëm tri.
Tetë prej tentimeve të Kosovës shkuan në drejtim të portës, krahasuar me vetëm një të Irlandës. “Dardanët” krijuan gjithashtu tri raste të mëdha për gol, ndërsa Irlanda vetëm një.
Megjithatë, përkundër rasteve dhe presionit, goli mungoi për një kohë të gjatë. Rezistenca irlandeze u thye në minutën e 83-të, kur Vedat Muriqi realizoi golin që në fund rezultoi vendimtar për rezultatin 1-0.
Kosova ishte më konkrete edhe në qarkullimin e topit, duke regjistruar 409 pasime të sakta, ndërsa Irlanda 293. Në aspektin disiplinor, vendasit e mbyllën ndeshjen pa karton të verdhë, kurse Irlanda mori dy.
Edhe vlerësimet e Sofascore pasqyruan paraqitjen më të mirë të Kosovës, me notë mesatare 7.22, kundrejt 6.93 të Irlandës.
Në fund, goli i Muriqit në minutat e fundit shpërbleu insistimin e Kosovës dhe vulosi fitoren 1-0, duke u dhënë “Dardanëve” pikët e para dhe fitoren e parë.


