BallinaLiga NdërkombëtareShtatë ndeshje të Botërorit 2026 nën vëzhgim - kjo vjen pas sinjaleve...

Shtatë ndeshje të Botërorit 2026 nën vëzhgim – kjo vjen pas sinjaleve nga tregu i basteve – Kampionet

Shtatë ndeshje të Kupës së Botës 2026 janë raportuar si të dyshimta për manipulim të mundshëm të lidhur me bastet nga Grupi i Kopenhagës, rrjeti ndërkombëtar që merret me monitorimin, zbulimin dhe parandalimin e trukimit të ndeshjeve sportive.

Sipas raportimeve, edhe pse raporti i plotë nuk është bërë ende publik, Këshilli i Evropës ka publikuar një përmbledhje të gjetjeve, menjëherë pasi FIFA prezantoi analizën e saj, në të cilën deklaroi se nuk kishte identifikuar lëvizje të dyshimta në tregjet e basteve.

Shtatë alarme, por asnjë provë për manipulim

Grupi i Kopenhagës ka lëshuar shtatë alarme të verdha, që nënkuptojnë një nivel të moderuar dyshimi. Sipas metodologjisë së këtij rrjeti, ekzistojnë edhe alarme portokalli dhe të kuqe, të cilat tregojnë nivele më të larta rreziku.

Një alarm i verdhë nuk nënkupton se një ndeshje është manipuluar, por se janë identifikuar elemente që kërkojnë hetim të mëtejshëm, si: luhatje të pazakonta të kuotave të basteve, informacione të pakonfirmuara nga burime të ndryshme dhe aktivitet i dyshimtë në rrjetet sociale ose në tregjet e basteve.

Për këtë arsye, Grupi i Kopenhagës ka kërkuar informacion shtesë nga FIFA.

Rasti i Balogunit tërhoqi vëmendje

Një nga rastet që ka ngjallur më shumë interes është ai i sulmuesit amerikan Folarin Balogun.

Sipas raportit, platforma e parashikimeve me kriptomonedha Polymarket hapi një treg bastesh disa ditë përpara ndeshjes së fazës së 1/16 së finales kundër Belgjikës, duke pyetur nëse Balogun do të luante, edhe pse në atë moment ai ishte i pezulluar pas një kartoni të kuq.

Më pas, pezullimi i tij u anulua dhe lojtari u aktivizua në atë ndeshje. Raportohet se një treg i tillë nuk ishte hapur për asnjë nga 14 futbollistët e tjerë të ndëshkuar me karton të kuq gjatë turneut, çka ka ngritur pikëpyetje te monitoruesit.

Nën vëzhgim edhe ndeshja Spanjë – Kepi i Gjelbër

Në raport përmendet edhe ndeshja mes Spanjës dhe Kepit të Gjelbër në fazën e grupeve, e cila përfundoi 0-0.

Sipas të dhënave të cituara, në Polymarket u vendosën rreth 4.8 milionë dollarë baste mbi skenarin që Spanja nuk do ta fitonte këtë takim, fakt që është përfshirë në analizën e Grupit të Kopenhagës.

Gjithashtu, është marrë në shqyrtim edhe vonesa prej rreth tre minutash e gjysmë nga sistemi VAR për anulimin e një goli të Ferran Torres në fitoren 4-0 të Spanjës ndaj Arabisë Saudite.

Nuk ka akuza përfundimtare

Pavarësisht këtyre sinjaleve, raporti nuk përbën provë se ndeshjet janë manipuluar. Alarmi i verdhë shërben vetëm si tregues se disa situata konsiderohen të pazakonta dhe kërkojnë verifikim të mëtejshëm nga autoritetet kompetente.

Deri tani, FIFA nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj dhe vazhdon të deklarojë se analizat e kryera nuk kanë evidentuar prova për manipulim të ndeshjeve gjatë Kupës së Botës 2026. /Kampionet/

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -Hapsir per reklama 300x250

Most Popular

Recent Comments