
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të jenë organizatori i edicionit të Kupës së Botës 2038, pavarësisht se do të ketë organizuar tashmë dy edicione të Kupës së Botës brenda vetëm 32 viteve.
Edhe pse futbolli – ose “soccer”, siç njihet në SHBA – konsiderohet sporti i tretë më i ndjekur në vend, pas futbollit amerikan dhe basketbollit, autoritetet amerikane po shqyrtojnë mundësinë për të kandiduar sërish për organizimin e turneut më të madh të futbollit.
SHBA organizoi për herë të parë Kupën e Botës në vitin 1994, ndërsa është bashkëorganizatore e edicionit aktual të vitit 2026 së bashku me Meksikën dhe Kanadanë.
Nga 104 ndeshjet e Botërorit 2026, plot 78 do të zhvillohen në territorin amerikan, përfshirë edhe finalen.
Ndërkohë, organizatorët e dy edicioneve të ardhshme tashmë janë konfirmuar. Spanja, Maroku dhe Portugalia do të organizojnë Botërorin e vitit 2030, ndërsa tre ndeshjet hapëse do të luhen në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai për të shënuar 100-vjetorin e turneut.
Botërori i vitit 2034 do të zhvillohet në Arabinë Saudite, duke u bërë vetëm edicioni i dytë që organizohet në një vend arab, pas Katarit në vitin 2022.
Sipas drejtorit ekzekutiv të grupit të punës së Shtëpisë së Bardhë për Kupën e Botës, Andrew Giuliani, SHBA po shqyrton seriozisht paraqitjen e kandidaturës për Botërorin e vitit 2038.
Nëse kandidatura do të jetë e suksesshme, SHBA do të bëhet vendi organizator i Kupës së Botës për herë të tretë brenda vetëm 44 viteve.
Ndërkohë, disa prej vendeve tradicionale të futbollit vazhdojnë të presin një mundësi të tillë. Anglia nuk e ka organizuar Kupën e Botës që nga viti 1966, ndërsa Holanda, pavarësisht historisë së pasur futbollistike dhe tri finaleve të luajtura, nuk e ka organizuar asnjëherë turneun.
Giuliani shtoi se kishte diskutuar për këtë çështje edhe me presidentin amerikan Donald Trump, përpara se të deklaronte publikisht se SHBA është e hapur për të kandiduar për organizimin e Kupës së Botës 2038./Kampionet/



