
Drejtori operativ i FIFA-s, Kevin Lamour, ka kërkuar publikisht largimin e presidentit Gianni Infantino pas propozimeve kontroverse për shitjen e pjesëve të pronësisë në Kupën e Botës.
Situata po del jashtë kontrollit, pasi UEFA ka bërë të ditur se do ta bojkotojë Kupën e Botës për aq kohë sa ideja për shitjen e aksioneve në turne mbetet në tavolinë.
Një vendim i tillë do të prekte edhe Italinë, e cila është një nga anëtaret themeluese të UEFA-s.
Kundër këtyre planeve janë pozicionuar gjithashtu Konfederata Aziatike e Futbollit (AFC) dhe Federata e Futbollit të Amerikës së Veriut dhe Qendrore (Concacaf).

Reagimi kundër projektit ka prekur tashmë edhe vetë FIFA-n, pasi këshilltari i lartë i Infantinos, Carlos Cordeiro, ka paraqitur dorëheqjen e tij.
Tani, drejtori aktual operativ i FIFA-s, Kevin Lamour, ka bërë thirrje publikisht për një ndryshim të madh politik që mund të çojë deri në rrëzimin e presidentit Infantino.
“Është projekti i një personi të vetëm. Jo vetëm që ky projekt nuk duhet të ecë përpara, por ka ardhur koha që liderët politikë të futbollit ta bëjnë veten pyetjet e duhura dhe të marrin vendimet e duhura”, ka thënë Lamour për Associated Press.
Lamour, i cili është në këtë pozitë në FIFA që nga viti 2024, ka kritikuar ashpër Infantinon, duke thënë se punonjësit e institucionit janë ndier “të mashtruar” nga mënyra e shpejtë me të cilën u prezantua ky plan.
Ai shtoi se stafi i FIFA-s “meriton më shumë sesa përçmim dhe frikësim”.
Lamour nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, por e ka sfiduar Infantinon që ta shkarkojë.
“Nëse kjo do të thotë se do ta humbas vendin e punës, atëherë le të jetë kështu. Do ta kuptoj dhe do ta respektoj atë vendim. Të paktën do të fle i qetë sonte”, deklaroi ai.
Menaxhimi i dobët i propozimit për krijimin e një kompanie komerciale që do të menaxhonte turnetë dhe më pas do t’u shitej investitorëve të jashtëm ka zemëruar botën e futbollit./Kampionet/



