
Rade Zalad ishte një nga portierët më të njohur në ish-Jugosllavi. Portieri serb pati rastin që gjatë karrierës së tij të luante edhe për Prishtinën, në sezonin 1985/86.
Gjatë karrierës së tij, Zalad ishte pjesë e klubeve të njohura si Partizani i Beogradit dhe Buduçnosti i Podgoricës, ndërsa luajti edhe në Turqi, ku veshi fanellat e Eskişehirsporit, Besiktasit dhe Ankaragücü.
Në një intervistë për Open TV, medium shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Zalad ka kujtuar me admirim periudhën e kaluar te Prishtina, duke e cilësuar si një kënaqësi të madhe mundësinë për të mbrojtur ngjyrat e klubit kryeqytetas.
Ai foli për sukseset e skuadrës në atë periudhë, atmosferën e jashtëzakonshme në stadium dhe bashkëlojtarët me të cilët ndau një kapitull të paharrueshëm të karrierës. Mes tyre përmendi Fadil Vokrrin, Zoran Batroviqin, Skënder Shëngullin, Jusuf Tortoshin dhe Agim Canën.
Prishtina e sezonit 1985/86
Zalad u ndal veçanërisht te figura e Fadil Vokrrit dhe lidershipi i tij në Prishtinën e viteve ’80, duke shprehur keqardhje të madhe për ndarjen e parakohshme nga jeta të legjendës së futbollit kosovar.
“Në vitet 1985–1986 pata kënaqësinë e madhe të luaja për një vit te Klubi i Futbollit Prishtina. Para kësaj, kisha kaluar dhjetë vjet në ekipin e parë të Partizanit. Më herët, në sezonin 1984/85, kisha qenë i huazuar te Buduçnosti i Podgoricës, ku sezonin e përfundova si lojtari më i mirë. Kjo ma hapi mundësinë që të vija të luaja në Prishtinë. Kalova një vit të paharrueshëm në Prishtinë. Edhe tani më rrëqethet trupi kur i kujtoj ato momente të mrekullueshme”, ka rrëfyer Zalad.
Ai kujtoi edhe atmosferën që mbretëronte në stadium gjatë ndeshjeve të Prishtinës, duke theksuar se skuadra kishte një ekip cilësor dhe ishte në gjendje të konkurronte me klubet më të mëdha të ish-Jugosllavisë.
“Në çdo ndeshje, stadiumi ishte i mbushur plot. Kisha fatin të isha në formë të mirë dhe të kishim një ekip të mirë. Këtu është edhe miku im i dashur, Zoran Batroviq, i cili ishte një nga shtyllat e atij ekipi të Prishtinës, natyrisht, së bashku me të paharruarin Fadil Vokrri”.
Rade Zalad, portier i KF Prishtinës
“Skënder Shëngullin, të cilin e pashë pardje pas 40 vjetësh, ishte sikur të takoja vëllain tim. Në çdo ndeshje, stadiumi ishte plot. Prishtina ishte skuadra e pestë në atë Jugosllavi. Mund ta imagjinoni se çfarë konkurrence e jashtëzakonshme ishte ajo. Në Prishtinë i mposhtëm të gjitha skuadrat e mëdha: fituam kundër Hajdukut, fituam kundër Crvena Zvezdës dhe fituam edhe kundër Partizanit”, ka thënë ai.
Zalad kujtoi edhe ndeshjen kundër Dinamos së Zagrebit, e cila përfundoi me rezultat 0-0, duke bërë një koment me humor për trajnerin e atëhershëm të skuadrës kroate, Miroslav Ciro Blazevic.
“Vetëm kundër Dinamos së Zagrebit, me Ciron në krye, luajtëm 0-0. Por mendoj se aty kishte një marrëveshje të brendshme mes Fadil Vokrrit dhe Ćiros”, ka thënë Zalad me shaka.
Ish-portieri tregoi se kontaktet me ish-bashkëlojtarët i ruan edhe sot. Ai tha se më së shpeshti komunikon me Jusuf Tortoshin, me të cilin kishte luajtur edhe në Turqi, te Eskişehirspori.
“Më së shpeshti dëgjohem me Jusuf Tortoshin, pasi ai ka luajtur me mua te Eskişehirspori. Tortoshi është një ish-futbollist i madh i Prishtinës, prandaj mbajmë kontakte”, u shpreh ai.
Kështu dukej një ndeshje e Prishtinës në vitet e 80-ta
Zalad përshëndeti edhe Agim Canën, me të cilin kishte luajtur në ekipet e të rinjve dhe të pionierëve të përfaqësueses.
“Më vjen mirë që dëgjova se miku im nga përfaqësuesja, me të cilin kam luajtur në ekipet e të rinjve dhe të pionierëve, Agim Cana, është mirë. Me këtë rast, e përshëndes dhe i uroj gjithë të mirat”, tha ish-portieri.
Megjithatë, pjesa më emocionale e rrëfimit të tij lidhej me Fadil Vokrrin, të cilin e vlerësoi jo vetëm për cilësitë si futbollist, por edhe për aftësitë e tij udhëheqëse brenda dhe jashtë fushës.
“Më vjen shumë keq dhe më ka prekur jashtëzakonisht shumë largimi i parakohshëm i Fadil Vokrrit, sepse mendoj se ai ishte një nga futbollistët e jashtëzakonshëm që ka lënë gjurmë jo vetëm në futbollin e Kosovës, por edhe te Partizani, ku luajti për disa vjet”.
“Ai ishte udhëheqës, si në zhveshtore, ashtu edhe në fushë. Dhe ai kurrë nuk thoshte: ‘Ecim përpara’, por thoshte: ‘Ti vjen pas meje. Unë jam i pari, ndërsa ti vjen pas meje’”, kujtoi Zalad.
Në fund, ish-portieri theksoi se kujtimet më të bukura të karrierës së tij mbeten të lidhura me Prishtinën dhe atmosferën e veçantë që kishte përjetuar gjatë qëndrimit në kryeqytetin e Kosovës.
“Të gjitha kujtimet e mia më të bukura më lidhin me atmosferën e mrekullueshme në Prishtinë”, përfundoi ai.
Ai pas vitit 1986 u largua nga Prishtina, duke e vazhduar karrierën në Turqi, ndërsa në atë vit shumë yje të Prishtinës së Artë po ashtu u larguan nga klubi, me Fadil Vokrrin që po ashtu vazhdoi karrierën te Partizani. /Kampionet./


