BallinaSuperliga e KosovësNga starti i vështirë te ringritja e Drenicës – Jeton Mehmeti zbulon...

Nga starti i vështirë te ringritja e Drenicës – Jeton Mehmeti zbulon synimet e mëdha të kuqezinjve – Kampionet

Drenica po kalon një moment pozitiv në kampionat, pas një starti jo të lehtë dhe një periudhe në të cilën skuadra kishte nevojë për kohë për t’u konsoliduar. Dy fitoret e fundit, ndaj Vushtrrisë dhe Llapit, kanë sjellë jo vetëm pikët e shumëkërkuara, por edhe dy paraqitje bindëse, me shtatë gola të shënuar dhe asnjë të pranuar.

Trajneri i Drenicës, Jeton Mehmeti, në një intervistë për Kampionetn ka folur për startin e sezonit, formën e fundit të skuadrës dhe objektivat për vazhdimin e kampionatit.

Pavarësisht tri barazimeve dhe dy humbjeve në pesë ndeshjet e para, Mehmeti vlerëson se skuadra ka pasur rrethana të vështira në fillim, veçanërisht për shkak të kohës së shkurtër të përgatitjeve dhe kompletimit të vonshëm të ekipit.

“Mendoj se jemi të kënaqur me pikët e grumbulluara, duke pasur parasysh problemet që kishim me fillimin me kohë të përgatitjeve dhe kompletimin e strukturës së lojtarëve. Tani jemi më komod me fondin e lojtarëve dhe skuadra po jep frytet e punës që kemi bërë”.

“Fati deshi që katër xhirot e para të kemi kundërshtarë katër skuadrat që kanë marrë pjesë në kompeticionet evropiane, skuadra që kanë filluar afërsisht një muaj para nesh përgatitjet. Na penalizoi koha e shkurtër e përgatitjeve dhe moskompletimi i skuadrës, lojtarët nuk e njihnin ende njëri-tjetrin”, ka thënë fillimisht Mehmeti.

“Pavarësisht kësaj, ne kemi treguar ndeshje të jashtëzakonshme, duke qenë rival i barabartë me të gjithë këta rivalë”.

Pas humbjes 4-1 ndaj Prishtinës, Drenica reagoi me dy fitore radhazi dhe një bilanc mbresëlënës prej shtatë golash të shënuar dhe asnjë të pranuar.

“Ndeshje pas ndeshje skuadra filloi të marrë formën e vet dhe erdhi në pah puna e madhe që kemi bërë. Ne analizuam gabimet e bëra nga ndeshjet e kaluara dhe filluam të përmirësohemi. Kundër Vushtrrisë dhe sidomos Llapit kemi treguar performancë të jashtëzakonshme, duke treguar fytyrën e vërtetë”.

“Dy ndeshjet e fundit treguan që skuadra ka filluar të komponohet dhe ka marrë formë. Djemtë iu janë përgjigjur kërkesave dhe detyrave me përgjegjësi të lartë. Jemi me fat që kemi lojtarë me karakter dhe që luftojnë shumë për ngjyrat e klubit. Kjo ka qenë kërkesa ime nga fillimi, të luftojnë për respektin e dinjitetin e tyre dhe ta mbajnë me krenari këtë fanellë të shenjtë”, vazhdoi ai.

Për vazhdimin e kampionatit, synimi është që kjo formë të ruhet dhe skuadra të vazhdojë të punojë me qetësi.

“Mendoj që ne duhet të vazhdojmë të punojmë në qetësi, të merremi vetëm me veten tonë. Kemi krijuar një konkurrencë të shëndoshë brenda grupit, kemi më shumë alternativa në pozicione të caktuara. Uroj të mos kemi lëndime dhe gjithmonë të tentojmë ta ngritim formën sportive”.

“Objektivi ynë është ndeshja e radhës dhe mbajtja e formës së mirë, të luftojmë për çdo pikë dhe të jemi rival i denjë për të gjithë. Të jemi stabil në tabelë dhe të tregojmë që klubi Drenica meriton respekt për vetë emrin dhe traditën që e ka”.

Në fund, ai ka një mesazh për tifozët e Drenicës, duke i ftuar që ta mbështesin skuadrën edhe në ndeshjet e ardhshme.

“Tifozëve u them të na mbështesin maksimalisht, sepse afërsisht 70 për qind e lojtarëve janë nga Drenica dhe i inkurajoj të vijnë në numër sa më të shumtë, sikurse në ndeshjen e fundit ndaj Llapit, që ishte shumë emocionale”.

“Ishte shumë emocionale, duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit që ndodhën me rastin e dënimit ndaj çlirimtarëve tanë. Ishte një mbështetje shumë e madhe dhe emocionale”, përfundoi Mehmeti./Kampionet/

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -Hapsir per reklama 300x250

Most Popular

Recent Comments