
Tifozët irlandezë që kanë udhëtuar drejt Prishtinës për ndeshjen ndaj Kosovës janë pritur me një mikpritje të veçantë, e cila ka rrënjë përtej futbollit.
Media irlandeze Balls.ie ka shkruar se mbështetësit e Irlandës kanë marrë një “mirëseardhje veçanërisht të ngrohtë” në Kosovë, duke e lidhur këtë me historinë dhe raportet që dy vendet kanë krijuar ndër vite.
Për këtë sfidë, në Prishtinë udhëtuan edhe një numër i konsiderueshëm i tifozëve irlandezë, të cilët gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë kanë marrë një pritje të ngrohtë nga qytetarët vendas.
Por, pse ekziston kjo lidhje kaq e veçantë mes Kosovës dhe Irlandës?
Përgjigjja nuk gjendet vetëm në futboll, por në historinë e Kosovës gjatë dhe pas luftës së vitit 1999.
Irlandezët që shërbyen në Kosovë pas luftës
Pas përfundimit të luftës, Kosova u bë pjesë e misionit ndërkombëtar të sigurisë të udhëhequr nga KFOR-i.
Edhe Irlanda kontriboi me trupa në këtë mision.
Në korrik të vitit 1999, qeveria irlandeze miratoi dërgimin e deri në 100 ushtarëve në Kosovë, si pjesë e forcave paqeruajtëse të KFOR-it.
Ata do të shërbenin fillimisht si njësi transporti dhe do të ishin pjesë e një batalioni shumëkombësh në Prishtinë.
Kjo prani irlandeze në Kosovë krijoi një lidhje të veçantë me vendin dhe me qytetarët e tij.
Për shumë kosovarë, Irlanda nuk ishte thjesht një shtet që mori pjesë në një mision ndërkombëtar, por një prej vendeve që ishte i pranishëm në terren në periudhën e vështirë të pasluftës.
Kjo është një prej arsyeve pse tifozët irlandezë janë ndier kaq të mirëpritur gjatë vizitës së tyre në Prishtinë.
Edhe Federata Irlandeze e Futbollit, në udhëzimet e saj për tifozët para ndeshjes, e përshkroi Prishtinën si një qytet përgjithësisht të sigurt dhe mikpritës për tifozët udhëtues.
Irlanda dhe qëndrimi i vitit 1999 ndaj Jugosllavisë
Ekziston edhe një tjetër episod historik që ka mbetur në kujtesën e kosovarëve.
Në qershor të vitit 1999, Irlanda ishte planifikuar të luante ndaj Jugosllavisë në kuadër të eliminatoreve për “Euro 2000”.
Ndeshja ishte paraparë të zhvillohej më 5 qershor 1999 në Dublin, por qeveria irlandeze refuzoi t’u jepte viza futbollistëve jugosllavë dhe ndeshja nuk u zhvillua.
Vendimi i atëhershëm i qeverisë së kryeministrit Bertie Ahern ishte në kundërshtim me regjimin e Slobodan Millosheviqit dhe me luftën në Kosovë.
Pra, në një kohë kur lufta në Kosovë ishte ende në zhvillim, Irlanda ndërhyri edhe në aspektin sportiv duke refuzuar zhvillimin e ndeshjes me Jugosllavinë.
Ky episod është rikujtuar edhe sot, 27 vjet më vonë, në ditën kur Irlanda zbarkoi për herë të parë në Prishtinë për një ndeshje ndaj Kosovës.
Nga historia te futbolli
Për këtë arsye, përballja Kosovë–Irlandë kishte një simbolikë që shkonte përtej 90 minutave në “Fadil Vokrri”.
Në njërën anë ishte Kosova, një shtet që e ka të freskët kujtesën e luftës dhe të mbështetjes ndërkombëtare të asaj periudhe.
Në anën tjetër ishte Irlanda, një shtet që kontriboi me trupa në misionin ndërkombëtar në Kosovë dhe që në vitin 1999 mori një qëndrim politik e sportiv lidhur me luftën në Kosovë.
Pikërisht kjo histori shpjegon edhe atmosferën e veçantë që i ka shoqëruar tifozët irlandezë në Prishtinë.
Për ta, kjo ishte një ndeshje e re në kalendarin e Kombëtares.

Për shumë kosovarë, megjithatë, ardhja e irlandezëve në Prishtinë ishte një mundësi për të rikujtuar një histori respekti që daton nga fundi i viteve ’90.
Kështu, Kosovë–Irlandë nuk ishte vetëm përballja e parë mes dy Kombëtareve në histori, por edhe takimi i dy vendeve që kanë një kapitull të veçantë të përbashkët nga historia e Kosovës. /Kampionet/


