BallinaLiga NdërkombëtareMediumi spanjoll jep të rejat e fundit: Vinicius Jr më afër largimit...

Mediumi spanjoll jep të rejat e fundit: Vinicius Jr më afër largimit se rinovimit, situatë e ngjashme me atë që i ndodhi Cristiano Ronaldos – Kampionet

E ardhmja e Vinicius Junior te Real Madridi vazhdon të mbetet e paqartë, ndërsa negociatat për rinovimin e kontratës kanë hyrë në një fazë delikate.

Kontrata aktuale e brazilianit skadon më 30 qershor 2027 dhe, nga frika se mund ta humbasin falas pas një viti, drejtuesit madrilenë kanë intensifikuar përpjekjet për ta bindur të firmosë marrëveshje të re. Megjithatë, kërkesat e larta financiare të lojtarit po e bëjnë procesin gjithnjë e më të vështirë.

Sipas gazetarit Tono García në emisionin “El Larguero”, ish-drejtori sportiv dhe legjenda e Real Madridit, Pedja Mijatovic, është skeptik për mundësinë e rinovimit.

“Në këtë fazë të verës, me vetëm një vit të mbetur në kontratë, kjo situatë më bën të mendoj se Vinicius nuk është shumë i interesuar ta rinovojë kontratën”.

“Në këtë moment, mendoj se ai po shqyrton më shumë ofertat e tjera”.

Mijatovic theksoi se interesimi i klubeve të mëdha, veçanërisht Arsenalit, mund të ndikojë në vendimin e sulmuesit.

“Ai është në qendër të vëmendjes së të gjithëve. Me sa duket, Arsenali është shumë i interesuar për ta transferuar dhe është i gatshëm të shpenzojë një shumë të madhe”.

Sipas ish-sulmuesit malazez, nëse Real Madridi nuk arrin ta bindë lojtarin të rinovojë, atëherë duhet të shqyrtojë seriozisht shitjen e tij.

“Nëse nuk mund ta bindësh të rinovojë dhe vjen një ofertë shumë e mirë për Real Madridin, atëherë duhet ta marrësh në konsideratë shitjen e tij. Kjo është krejtësisht normale”.

Edhe gazetari i njohur Tomas Roncero bëri një krahasim me largimin e Cristiano Ronaldos nga Real Madridi.

“Shumë yje janë larguar sepse nuk kanë arritur marrëveshje financiare me klubin dhe tani po përsëritet e njëjta histori. Cristiano fitonte 22 milionë euro neto në kontratën e tij të fundit, pikërisht aq sa Real Madridi i ka ofruar Viniciusit, ndërsa ai kërkonte 30 milionë”.

“Cristiano tha jo dhe u largua. Është interesante që e njëjta situatë po ndodh edhe me Viniciusin”.

Megjithatë, Roncero zbuloi se braziliani nuk ka ndërmend të largohet falas nga “Santiago Bernabeu”.

“Vinicius u ka thënë njerëzve të afërt se nuk do të largohet nga Real Madridi si lojtar i lirë”.

Sipas tij, dilema e vetme këtë verë është mes rinovimit të kontratës ose një transferimi.

Ai shtoi se kërkesa prej 30 milionë eurosh në sezon nuk lidhet vetëm me aspektin financiar, por edhe me statusin e lojtarit në skuadër.

“Nëse ende nuk ka marrëveshje, është sepse në thelb ai dëshiron të ndihet i vlerësuar njësoj si Kylian Mbappe. Nuk bëhet fjalë vetëm për shumën prej 30 milionë eurosh, por për faktin që ai nuk dëshiron të shihet si më pak i rëndësishëm se Mbappe”.

Roncero beson se, nëse asnjëra palë nuk lëshon pe, një transferim mund të jetë skenari më i mundshëm.

“Nëse Vinicius nuk dëshiron të largohet falas dhe Real Madridi nuk pranon t’i paguajë 30 milionë euro në sezon, atëherë gjithçka të çon drejt një transferimi dhe jo një rinovimi”.

Ndërkohë, Mijatovic i dërgoi edhe një mesazh brazilianit, duke e paralajmëruar të mendohet mirë para se të largohet.

“Real Madridi duhet ta ruajë madhështinë e tij dhe Vinicius duhet ta kuptojë se është pjesë e klubit më të madh. Shumë lojtarë janë larguar, edhe unë kam qenë njëri prej tyre, dhe më pas e kupton se askund tjetër nuk është si në Valdebebas apo në ‘Santiago Bernabeu’. Atëherë thua me vete: ‘Sa gabim kam qenë’”./Kampionet/

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -Hapsir per reklama 300x250

Most Popular

Recent Comments