
Presidenti nderi i Bayern Munichut, Uli Hoeness, beson se Harry Kane e meriton ta fitojë Topin e Artë për vitin 2026, pas një sezoni të jashtëzakonshëm me klubin bavarez.
Hoeness ka qenë i drejtpërdrejtë në mbështetjen e tij për sulmuesin anglez, duke theksuar se Kane ka zhvilluar një sezon të shkëlqyer në të gjitha garat.
“Ai absolutisht e meriton. Dhe shpresoj që ta fitojë. Harry Kane ka pasur një sezon të jashtëzakonshëm në të gjitha garat. Nëse nuk e meriton këtë vit, atëherë kur do ta meritojë?”, deklaroi Hoeness.
Megjithatë, 74-vjeçari nuk u ndal vetëm te lavdërimet për Kane, por komentoi edhe rivalët kryesorë të tij në garën për çmimin prestigjioz, veçanërisht Lionel Messin dhe Kylian Mbappen.
Duke folur për Messin, Hoeness tha: “Mendoj se t’ia japësh Messit Topin e Artë për herë të pestë do të ishte marrëzi, (në fakt, argjentinasi do të ishte në garë për ta fituar çmimin për herë të nëntë)”.
Sa i përket Kylian Mbappes, Hoeness vuri theksin te mungesa e trofeve të Real Madridit gjatë sezonit të kaluar.
“Ata [Real Madridi] nuk fituan asnjë trofe, ndërsa ne fituam dy”, deklaroi presidenti nderi i Bayernit.
Në të njëjtën kohë, Hoeness foli edhe për të ardhmen e Kane te Bayern Munich, duke konfirmuar se nuk është i përfshirë drejtpërdrejt në negociatat për kontratën e sulmuesit anglez.
Negociatat po zhvillohen nga drejtori ekzekutiv i klubit, Jan-Christian Dreesen.
“Nuk kam nevojë t’i them vazhdimisht se çfarë mendoj, sepse ai e di tashmë se çfarë mendoj. Ata janë në bisedime. Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, përfundoi Hoeness. /Kampionet/


