
Klubi anglez ka bërë të ditur se është i zhgënjyer dhe i befasuar nga përfundimet e Komisionit të Pavarur, ndërsa ka konfirmuar se synon ta apelojë vendimin. Manchester City ka afat deri të premten për të ushtruar të drejtën e apelimit.
“Manchester City FC është i zhgënjyer dhe i befasuar nga vendimi i Komisionit të Ligës Premier , i cili është publikuar sot”, thuhet në deklaratën e klubit.
Klubi këmbëngul se është i pafajshëm ndaj akuzave dhe pretendon se ka prova të forta në mbështetje të qëndrimit të tij.
Manchester City shpallet fajtor për të gjitha akuzat financiare, pritet sanksioni telegrafi.com
“Klubi është i pafajshëm për akuzat e bëra nga Liga Premier dhe ekziston një sasi e plotë provash të pakundërshtueshme në mbështetje të të gjitha qëndrimeve të tij në lidhje me këtë rast. Prandaj, klubi do të jetë i paepur dhe, kur të jetë e nevojshme, proaktiv në çdo forum të përshtatshëm rregullator dhe ligjor”, thuhet më tej.
Manchester City gjithashtu pretendon se procesi disiplinor i Ligës Premier ende nuk ka përfunduar dhe se vendimi përmban, sipas klubit, gabime materiale, ligjore, parimore dhe faktike.
“Procesi i Ligës Premier mbetet në vazhdim, me elementë të rëndësishëm të papërfunduar. Manchester City FC tani do të ndjekë rrugët e apelimit që i janë hapur, mbi bazën se vendimi përmban gabime të qarta materiale, ligjore, parimore dhe faktike, dhe është i pasigurt”, thuhet në deklaratë.
Klubi ka theksuar gjithashtu se gjatë tetë viteve të procesit ka respektuar procedurat, duke besuar se drejtuesit e Ligës Premier do të vepronin si një rregullator i pavarur, i paanshëm dhe i drejtë.
“Klubi është padyshim i kufizuar në atë që mund të thotë më tej derisa të përfundojnë të gjitha procedurat e ardhshme”, përfundon Manchester City.
Vendimi përfundimtar për sanksionin ndaj Manchester Cityt ende nuk është marrë. Liga Premier ka bërë të ditur se çështja e dënimit do të trajtohet veçmas, ndërsa Man City tani pritet të ndjekë procedurën e apelimit. /Kampionet/



