
Mohammed Fuseini, një futbollist 22-vjeçar që luan për klubin elitare belg, Union Saint-Gilloise, u sulmua dhe u grabit në Bruksel. Incidenti ndodhi të dielën në mëngjes në lagjen Dansaert, dhe pamjet e sulmit u publikuan nga mediat belge.
Videoja tregon sulmuesit duke e nxjerrë Fuseinin nga makina. Ndërsa tre prej tyre e mbanin atë dhe, me sa duket, përpiqeshin t’i merrnin telefonin celular nga duart, dy të tjerët po kërkonin për vlera në makinë.
Sipas mediumit belg HLN, Fuseinit i është vjedhur një orë dore Rolex Datejust me vlerë midis 8,000 dhe 14,000 euro.
Policia e Brukselit konfirmoi se kishte nisur një hetim pas një raporti të paraqitur. Klubi i futbollit Union SG tha se lojtari i tyre nuk ishte lënduar, por ishte “shumë i tronditur”. Klubi shtoi se Fuseinit po i ofrohej e gjithë mbështetja e nevojshme.
Kush është Mohammed Fuseini?
Mohammed Fuseini është një sulmues ganez i cili mbërriti te Union Saint-Gilloise në fillim të vitit 2024 nga klubi austriak Sturm Graz dhe sot, është një nga lojtarët e preferuar në ekipin belg.
Ai e filloi karrierën e tij si futbollist në akademinë “Right to Dream” të Ganës, nga ku iu bashkua RB Salzburgut në vitin 2022. Ai luajti për ekipin e parë dhe atë rezervë të klubit austriak dhe ishte i huazuar te skuadra daneze Randers FC.

Union SG e nënshkroi atë për dy milionë euro në vitin 2024 dhe që atëherë ka bërë 71 paraqitje, duke shënuar 14 gola dhe duke dhënë tre asistime.
Kontrata e tij është e vlefshme deri në verën e vitit 2028, me mundësi zgjatjeje për një sezon tjetër. Transfermarkt vlerëson vlerën e tij në 2.5 milionë euro. /Kampionet/


