
Shoqata Profesionale e Futbollistëve në Angli (PFA) ka publikuar zyrtarisht formacionin e sezonit në Ligën Premier, ndërsa Arsenali dhe Manchester City dominojnë përzgjedhjen.
Arsenali, kampion i Anglisë, ka pesë futbollistë në formacionin më të mirë, ndërsa Manchester City përfaqësohet me katër lojtarë. Vetëm dy futbollistë nga klubet e tjera kanë arritur të përfshihen në 11-shen e sezonit.
Në portë është David Raya, i cili fitoi edhe çmimin “Golden Glove”, pasi regjistroi 19 ndeshje pa pësuar gol.
Në mbrojtje janë Jurrien Timber, Gabriel Magalhaes dhe William Saliba, ndërsa linjën e mbrojtjes e kompleton Nico O’Reilly i Manchester Cityt.
Në mesfushë janë përzgjedhur Declan Rice i Arsenalit dhe Rayan Cherki i Manchester Cityt, ndërsa treshen e mesfushës e plotëson kapiteni i Manchester United, Bruno Fernandes.
Portugezi zhvilloi një sezon fantastik, duke vendosur rekord në Ligën Premier me 21 asistime. Fernandes gjithashtu fitoi tre çmime të rëndësishme individuale: Lojtari i Vitit në Ligën Premier, çmimin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Futbollit dhe PFA Players’ Player of the Year.
Në sulm nuk ka asnjë lojtar të Arsenalit. Votat shkuan për tre prej golashënuesve më të mirë të kampionatit.
Erling Haaland kryeson repartin ofensiv pas sezonit me 27 gola, ndërsa në krah të tij janë Igor Thiago i Brentfordit me 22 gola dhe Antoine Semenyo, i cili shënoi 17 gola pasi gjatë sezonit u transferua nga Bournemouth te Manchester City. /Kampionet/


