
Spanja u shpall kampione e botës për herë të dytë në histori, ndërsa një nga çelësat e suksesit ishte mbrojtja e saj e jashtëzakonshme.
Gjatë gjithë Kupës së Botës 2026, skuadra e Luis de la Fuente ishte pothuajse e pakalueshme, duke pësuar vetëm një gol në të gjithë turneun.
Portieri Unai Simón ishte një nga protagonistët kryesorë të këtij suksesi. Ai mbajti portën të paprekur për 650 minuta radhazi, duke vendosur rekordin për serinë më të gjatë pa pësuar gol në historinë e Kupës së Botës.

Për paraqitjet e tij ai u shpërblye me çmimin “Doreza e Artë” si portieri më i mirë i turneut.
Seria historike mori fund vetëm në çerekfinalen ndaj Belgjikës, kur Charles De Ketelaere realizoi me kokë për të barazuar përkohësisht rezultatin. Ai mbetet lojtari i vetëm që arriti të mposhtte mbrojtjen spanjolle gjatë gjithë Botërorit.
Megjithatë, Spanja reagoi shpejt dhe fitoi ndeshjen 2-1, duke vazhduar rrugëtimin drejt titullit të kampionit të botës.
Soliditeti defensiv i spanjollëve ishte rezultat i një organizimi të shkëlqyer, me Pau Cubarsí, i shpallur “Lojtari më i mirë i ri” i turneut, dhe Aymeric Laporte që formuan një dyshe mbresëlënëse në qendër të mbrojtjes. Falë punës së tyre dhe pritjeve vendimtare të Unai Simónit, Spanja lejoi shumë pak raste për kundërshtarët gjatë gjithë garës.
Në këtë mënyrë, De Ketelaere mbeti i vetmi futbollist që arriti të gjejë rrugën e rrjetës ndaj Spanjës, ndërsa emra të mëdhenj si Lionel Messi, Kylian Mbappe, Cristiano Ronaldo, Ousmane Dembele, Romelu Lukaku dhe Julián Álvarez nuk ia dolën ta mposhtnin portierin spanjoll gjatë rrugëtimit të kampionëve drejt trofeut. /Kampionet/


