
Në historinë e futbollit që lidh Kosovën me Austrinë, Atdhe Nuhiu është një prej emrave që e ka përjetuar këtë marrëdhënie në disa etapa të karrierës. Ai u rrit dhe zhvilloi pjesën më të madhe të karrierës së tij futbollistike në Austri, ndërsa sot është pjesë e stafit të Kosovës, duke punuar krah për krah me përzgjedhësin Franco Foda.
Nuhiu, i lindur në Prishtinë, si futbollist kaloi nëpër disa prej klubeve austriake, përfshirë Austria Kärnten, Wacker Innsbruck dhe Altach, përpara se karrierën ta vazhdonte edhe jashtë Austrisë.
Për një periudhë të gjatë, Austria ishte vendi ku ai u formua si futbollist dhe ku ndërtoi bazën e karrierës së tij profesionale.

Një kapitull i veçantë ishte edhe përfaqësimi i Austrisë në grupmoshat e reja. Nuhiu luajti për Austrinë U21 dhe ishte pjesë e një gjenerate në të cilën ishin edhe emra që më vonë u bënë të rëndësishëm për futbollin austriak.
Për Austrinë U21 ai shënoi edhe një hat-trick ndaj Azerbajxhanit, duke qenë një prej lojtarëve kryesorë të asaj skuadre.

Megjithatë, rrugëtimi i tij ndërkombëtar përfundimisht u lidh me Kosovën. Nuhiu zgjodhi të luante për “Dardanët” dhe me fanellën e Kosovës regjistroi 19 paraqitje dhe tri gola.
Në këtë mënyrë, historia e tij u bë edhe një shembull i lidhjes së fortë mes futbollit austriak dhe atij kosovar.

Por lidhja e Nuhiut me Austrinë nuk përfundoi me karrierën si futbollist. Pas pensionimit nga futbolli aktiv, ai iu drejtua profesionit të trajnerit dhe vazhdoi të punojë në Austri. Që nga viti 2024 ishte pjesë e stafit të SC Rheindorf Altach, duke marrë përvojë të re në futbollin austriak.
Tash, historia ka marrë një tjetër kthesë. Nuhiu është pjesë e stafit të Franco Fodës te Kombëtarja e Kosovës. Foda vetë ka një histori të gjatë me futbollin austriak, pasi për vite ishte pjesë e sistemit të atij vendi dhe e drejtoi edhe Kombëtaren e Austrisë.

Prandaj, përballja Austri–Kosovë në Vjenë ka edhe një detaj tjetër interesant në prapaskenë: në stafin e Kosovës është një person që pjesën më të madhe të karrierës së tij e ka ndërtuar pikërisht në Austri. Nga futbollisti që dikur luante me Austrinë U21, te lojtari i Kosovës dhe tash trajneri në stafin e “Dardanëve”, Atdhe Nuhiu përfaqëson një prej lidhjeve më interesante njerëzore dhe sportive mes dy vendeve. /Kampionet/


