
Nëse një gjë është bërë e qartë gjatë dhjetë viteve të Gianni Infantinos në krye të FIFA-s, ajo është se për të “më shumë” do të thotë gjithmonë më mirë.
Më shumë turne, më shumë ndeshje, më shumë të ardhura.
Kupa e Botës për Klube me format të ri, Botërori i zgjeruar me 48 skuadra, çmimet gjithnjë e më të larta të biletave, madje edhe spektakli i stilit “Super Bowl”, që bëri që pushimi i finales së Kupës së Botës të zgjaste plot 27 minuta e 22 sekonda.
Por duket se FIFA nuk dëshiron të ndalet këtu.
Presidenti Gianni Infantino ka lënë të kuptohet se është i hapur edhe për një tjetër zgjerim historik, një Kupë Bote me 64 kombëtare.
“Nëse nuk u japim vendeve më të vogla mundësinë për të marrë pjesë, ato nuk do të kenë motivim të vazhdojnë të përmirësohen”, deklaroi ai.
Megjithatë, kritikët theksojnë se kombëtaret më të vogla nuk janë të përjashtuara nga Botërori.
Nëse janë mjaftueshëm cilësore, ato e sigurojnë kualifikimin, siç ndodhi me Kepin e Gjelbër, Curacaon, Jordaninë dhe Uzbekistanin.
Si lindi ideja për një Botëror me 64 skuadra?
Kupa e Botës 2030 do të shënojë 100-vjetorin e turneut të parë në histori, të zhvilluar në Uruguai.
Edicioni jubilar do të organizohet kryesisht nga Maroku, Portugalia dhe Spanja, ndërsa tre ndeshjet hapëse do të zhvillohen në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai, si vende simbolike të centenarit.
Pikërisht CONMEBOL, konfederata e Amerikës së Jugut, propozoi në prill të vitit 2025 që Botërori 2030 të zhvillohej me 64 skuadra, si një zgjerim i vetëm për këtë edicion.
Presidenti i CONMEBOL-it, Alejandro Dominguez, argumentoi se një format i tillë do të siguronte që “askush në planet të mos mbetej jashtë festës”.
Megjithatë, propozimi nuk ka marrë mbështetje të gjerë.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, e quajti atë një “ide të keqe”, si për vetë turneun ashtu edhe për procesin kualifikues.
Edhe presidenti i CONCACAF-it, Victor Montagliani, paralajmëroi se zgjerimi do të dëmtonte “ekosistemin e futbollit”, ndërsa kreu i Konfederatës Aziatike, Sheikh Salman bin Ibrahim Al Khalifa, tha se një hap i tillë mund të sillte “kaos”.
Pavarësisht kundërshtimeve, vendimi final i takon 37 anëtarëve të Këshillit të FIFA-s, çka do të thotë se ideja mbetet ende në tryezë.
A do ta zhvlerësonte Botërorin?

Një Botëror me 64 skuadra do të kishte disa avantazhe.
Formati do të ishte më i thjeshtë: dy skuadrat e para të secilit grup do të kalonin direkt në fazën eliminatore, pa pasur nevojë për llogaritjet e skuadrave më të mira të vendit të tretë.
Gjithashtu, më shumë vende do të kishin mundësi të merrnin pjesë në skenën më të madhe të futbollit.
Infantino e mbështet këtë argument duke përmendur suksesin e Kepit të Gjelbër, që befasoi botën duke barazuar me Spanjën dhe Uruguain në fazën e grupeve, përpara se t’i rezistonte Argjentinës deri në kohën shtesë në 1/16 e finales.
Por historia nuk është e njëjtë për të gjitha ekipet.
Kombëtare si Haiti, Iraku, Jordania, Panamaja, Tunizia dhe Uzbekistani nuk arritën të fitonin asnjë pikë, ndërsa faza e grupeve pati shumë pak surpriza për favoritët.
Shumë analistë besojnë se me edhe më shumë skuadra, do të ishte gjithnjë e më e vështirë të shiheshin eliminime të bujshme si ato të Belgjikës (2022), Gjermanisë (2018), Spanjës (2014), Italisë (2010) apo Francës (2002).
Kush do të përfitonte nga zgjerimi?
Nëse Botërori 2026 do të zhvillohej me 64 skuadra, bazuar në rezultatet e kualifikueseve, do të shtoheshin:
Azia (AFC): Indonezia, Omani, Emiratet e Bashkuara Arabe.
Evropa (UEFA): Danimarka, Italia, Polonia.
Amerika e Veriut dhe Qendrore (CONCACAF): Hondurasi, Xhamajka, Surinami.
Amerika e Jugut (CONMEBOL): Bolivia, Venezuela.
Oqeania (OFC): Kaledonia e Re.
Afrika (CAF): Burkina Faso, Kameruni, Gaboni dhe Nigeria.
Nga këto skuadra, vetëm gjashtë ndodhen në Top 50 të renditjes së FIFA-s, çka ngre pikëpyetje mbi nivelin konkurrues të pjesës tjetër.

Statistikat e Botërorit të fundit tregojnë gjithashtu një diferencë të madhe mes kontinenteve.
Nëntë nga dhjetë përfaqësueset afrikane kaluan fazën e grupeve, ndërsa vetëm dy nga nëntë ekipet aziatike dhe tre nga gjashtë përfaqësueset e CONCACAF-it siguruan kualifikimin.
Kjo ka bërë që disa të argumentojnë se, nëse turneu do të zgjerohej sërish, Evropa meriton më shumë vende për të ruajtur nivelin konkurrues.
Nga ana tjetër, FIFA këmbëngul se pjesëmarrja e më shumë vendeve do të ndihmonte zhvillimin global të futbollit.
Sfida të mëdha organizative
Një Kupë Bote me 64 skuadra nuk do të thotë vetëm katër grupe shtesë.
Ajo do të sillte edhe 24 ndeshje më shumë, duke e zgjatur turneun me rreth pesë ditë të tjera.
Botërori i fundit zgjati 39 ditë, ndërsa kalendari u lehtësua falë stadiumeve të mbuluara dhe zonave të ndryshme kohore në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Në të ardhmen kjo do të jetë shumë më e vështirë, sidomos për shkak të temperaturave gjithnjë e më të larta që po sjell ndryshimi klimatik.
Po ashtu, organizimi do të kërkonte: më shumë qytete pritëse dhe stadiume, 64 qendra stërvitore të standardeve elitare, kapacitete shumë më të mëdha hotelerie, infrastrukturë të avancuar transporti për tifozët dhe ekipet.
Për këtë arsye, shumë ekspertë besojnë se organizimi i Botërorit nga një vend i vetëm do të bëhet praktikisht i pamundur edhe në të ardhmen.
A e shtyu Rodri – Donald Trumpin gjatë festimeve të Kupës së Botës? Momenti i sikletshëm bëhet viral
Në fund, gjithçka lidhet me paratë?
Një nga premtimet kryesore të Infantinos kur mori drejtimin e FIFA-s ishte rritja e investimeve në futboll.
Sot çdo federatë anëtare përfiton deri në 8 milionë dollarë financim në një cikël katërvjeçar, ndërsa federatat më të vogla marrin edhe fonde shtesë.
Edhe konfederatat kontinentale përfitojnë dhjetëra miliona dollarë për zhvillimin e futbollit.
Të gjitha këto financohen kryesisht nga të ardhurat e Kupës së Botës.
Në vitin 2017, FIFA parashikonte se një Botëror me 48 skuadra do të gjeneronte rreth 6.5 miliardë dollarë.
Pas ndryshimit të formatit dhe shtimit të ndeshjeve, të ardhurat e pritshme janë rritur në 9 miliardë dollarë.
Një Botëror me 64 skuadra do të sillte edhe më shumë fitime nga të drejtat televizive, sponsorët dhe shitja e biletave.
FIFA argumenton se kjo është mënyra më e mirë për të zhvilluar futbollin në mbarë botën.
Megjithatë, kritikët shtrojnë një pyetje të thjeshtë: deri në çfarë pike zgjerimi i vazhdueshëm është në të mirë të futbollit dhe kur fillon të dëmtojë vetë prestigjin e Kupës së Botës? /Kampionet/





