
Një deklaratë e presidentit të Lazios, Claudio Lotito, e ndoqi Mauro Zaraten gjatë gjithë karrierës së tij.
“Ai do të bëhet më i mirë se Lionel Messi”, kishte deklaruar Lotito vetëm pak ditë para se transferimi i sulmuesit argjentinas te Lazio të zyrtarizohej.
Zarate, i cili sapo kishte përfunduar një huazim gjashtëmujor te klubi anglez Birmingham City, ishte mësuar me pritshmëritë e mëdha në vendlindjen e tij, por kjo deklaratë ngriti presionin në një nivel krejtësisht tjetër.
Për të kuptuar peshën e fjalëve të Lotitos, duhet të kthehemi pas në kohë.

Pasi ndihmoi Argjentinën të fitonte Kupën e Botës U20 në vitin 2007 dhe shkëlqeu me klubin e tij të fëmijërisë, Velez Sarsfield, shumëkush priste që ai të ndiqte rrugën e bashkëlojtarit Sergio Aguero dhe të transferohej te një klub i madh evropian.
Megjithatë, në befasi të përgjithshme, Zarate zgjodhi të transferohej te Al Sadd për rreth 15.3 milionë euro. Ai përfitoi një kontratë shumë të majme me klubin nga Doha, por pavarësisht bujës së madhe, zhvilloi vetëm gjashtë ndeshje përpara se të huazohej te Birmingham City.
Nën drejtimin e Alex McLeish, Zarate realizoi katër gola në 14 paraqitje, paraqitje që tërhoqën vëmendjen e Newcastle United dhe Tottenham Hotspur në vitin 2008.

Me kalimin e kohës, krahasimet me Messin rezultuan të ekzagjeruara. Megjithatë, sezoni i tij i parë te Lazio ishte premtues, pasi shënoi 13 gola në 36 ndeshje, duke bindur klubin italian ta blejë përfundimisht për rreth 20 milionë euro.
Fatkeqësisht për Zaraten, ai nuk arriti ta përsëriste më kurrë atë nivel gjatë pjesës tjetër të karrierës së tij.
Më pas pasuan huazime te Al Nassr dhe Velez Sarsfield, përpara se Boca Juniors t’i jepte një tjetër mundësi.

Me klubin nga “La Bombonera”, ai fitoi dy tituj kampionë gjatë një periudhe trevjeçare, por u largua në maj të vitit 2021 për shkak të mungesës së minutave në fushë, një problem që do ta shoqëronte vazhdimisht në vitet e fundit të karrierës.
Në fund të rrugëtimit të tij si futbollist, Zarate veshi fanellat e America Mineiro dhe Juventude në Brazil, Atletico Platense në Argjentinë, si dhe Cosenza në Itali.
Sulmuesi argjentinas i dha fund karrierës në vitin 2023, pas një aventure të shkurtër te klubi uruguaian Danubio./Kampionet/


