
Vinicius Junior ka një dëshirë të qartë për të përforcuar skuadrën e Real Madrid, ndërsa objektivi i tij kryesor është bashkëkombësi Bruno Guimaraes.
Sulmuesi brazilian gëzon një marrëdhënie shumë të mirë me mesfushorin e Newcastle United dhe beson se ai do të përshtatej në mënyrë perfekte me projektin e ri të “Los Blancos”.
Edicioni i Kupës së Botës 2026 ka shërbyer edhe një herë si vitrinë për Guimaraes. Brazili po zhvillon një turne shumë të mirë, me Viniciusin si lider në repartin ofensiv, ndërsa Bruno po spikat në mesfushë me ekuilibrin, intensitetin dhe qartësinë që i jep lojës së ekipit.
Ndikimi i Viniciusit brenda dhomës së zhveshjes te Real Madridi nuk kufizohet më vetëm në paraqitjet në fushë. Ai konsiderohet një nga figurat kryesore të skuadrës dhe mendimi i tij ka peshë në disa çështje sportive, veçanërisht kur bëhet fjalë për futbollistë që i njeh mirë.

Në këtë kontekst, Guimaraes shihet si profili ideal. Mesfushori 28-vjeçar ka përvojë të madhe në Ligën Premier dhe vlerësohet lart nga klubet më të mëdha evropiane. Ai nuk është një mesfushor klasik defensiv apo një organizator tradicional, por një lojtar që kombinon rikuperimin e topit, ndërtimin e aksioneve dhe pasimet vertikale.
Për Real Madridin, ky profil konsiderohet ideal për të përforcuar një repart që ka nevojë për më shumë forcë fizike, inteligjencë taktike dhe personalitet në ndeshjet e mëdha. Sipas raportimeve, Vinícius beson se partneri i tij te kombëtarja braziliane i plotëson të gjitha këto cilësi.
Pengesa kryesore mbetet çmimi. Guimaraes vlerësohet rreth 87 milionë euro, por Newcastle nuk ka asnjë arsye ta shesë nën këtë shifër. Klauzola e mëparshme e lirimit prej 116 milionë eurosh nuk është më në fuqi, ndaj çdo transferim i mundshëm do të duhet të negociohet drejtpërdrejt mes klubeve.
Klubi anglez e konsideron brazilianin një nga shtyllat kryesore të projektit. Ai mban shiritin e kapitenit, është një lider brenda skuadrës dhe një nga lojtarët që simbolizon më së miri rritjen e Newcastle në vitet e fundit.
Për ta bindur klubin anglez të heqë dorë nga Guimaraes, Real Madridi pritet të ndërtojë një operacion financiar që mund të kalojë vlerën e 80 milionë eurove, ndërsa do të duhet të përballet edhe me konkurrencën e disa klubeve të tjera që po e ndjekin nga afër situatën e tij./Kampionet/



