
Luis Suarez ka ndarë emocionet e tij lidhur me paraqitjet e Uruguait në Kupën e Botës 2026, teksa kombëtarja e tij rrezikon eliminimin pas dy barazimeve në dy ndeshjet e para.
Sulmuesi i Inter Miamit pranoi se e ka të vështirë ta shikojë ekipin nga jashtë, pasi dëshira për të ndihmuar vazhdon të jetë e madhe.
“Ndjehem i pafuqishëm sepse nuk ka asgjë që mund të bëj. Kam adrenalinë dhe dëshirë për ta ndihmuar ekipin, por tani për tani vetëm po e shikoj”.
“Kur i shoh emocionet dhe zhgënjimin e djemve, nuk është e lehtë. U thashë të qëndrojnë të fortë — do ta kalojnë edhe këtë situatë”.

Veterani uruguaian foli edhe për punën e përzgjedhësit Marcelo Bielsa, duke theksuar se secili trajner ka mënyrën e vet të punës.
“Puna e Bielsas? Çdo trajner ka stilin e tij. Tani është e rëndësishme të luajmë sa më mirë kundër Spanjës. Nuk do të doja që gjithçka të vendosej në një ndeshje të vetme, por kjo është situata”, shtoi ai.
Uruguai ende nuk ka shijuar fitoren në këtë Botëror, pasi ka barazuar 1-1 me Arabinë Saudite dhe 2-2 me Kepin e Gjelbër.
Në xhiron e tretë dhe vendimtare të fazës së grupeve, uruguaianët do të përballen me Spanjën, në një ndeshje që mund të përcaktojë fatin e tyre në turne./Kampionet/


