
Anësori shqiptar Arber Hoxha është shpërblyer nga Dinamo Zagreb me një kontratë të re afatgjatë, pas formës mbresëlënëse që ka treguar në fillim të këtij sezoni.
Klubi kroat pritet ta zyrtarizojë shumë shpejt marrëveshjen e re, e cila do ta mbajë 27-vjeçarin në “Maksimir” deri në verën e vitit 2029, dy vite më shumë se kontrata aktuale.
Sipas burimeve pranë klubit, Hoxha do të përfitojë një pagë të përmirësuar, që kap vlerën e rreth 500 mijë eurove në vit – një shpërblim i merituar për paraqitjet e tij të shkëlqyera në kampionat dhe në Evropë.

Nga i “fshirë” te lideri i Dinamos
Gjatë verës, Hoxha ishte afër largimit nga Dinamo. Klubi kroat kishte marrë oferta për të dhe e konsideroi shitjen e tij, por në fund ai mbeti në skuadër dhe i “mbijetoi spastrimit” të bërë nga Zvonimir Boban.
Ai e nisi sezonin nga stoli, por shumë shpejt u bë njëri ndër lojtarët më vendimtarë të skuadrës. Hoxha shënoi një gol të bukur kundër Hajdukut në Poljud, më pas zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer ndaj Fenerbahçes, duke fituar vlerësime të larta në media.
Në 16 paraqitje këtë sezon, shqiptari ka regjistruar 3 gola dhe 3 asistime në të gjitha garat.

Golat që vendosën derbit
Hoxha ka qenë protagonist i dy fitoreve të mëdha të Dinamos këtë sezon. Në derbin ndaj Hajdukut në Poljud, ai zhbllokoi rezultatin me një aksion individual spektakolar, ndërsa në fund Monsef Bakrar vulosi fitoren 2-0.
Në një tjetër ndeshje dramatike ndaj Rijekës në Maksimir, Hoxha realizoi një gol të pabesueshëm direkt nga goditja e këndit, duke i dhënë Dinamos tri pikë të arta.

Nga Prishtina, Besa e Ballkani te Dinamo
Arber Hoxha u transferua te Dinamo në janar të vitit 2024 nga Slaven Belupo për 1 milion euro, si një kërkesë e posaçme e trajnerit të atëhershëm Sergej Jakirovic.
Që nga atëherë, ai ka zhvilluar 79 ndeshje, duke shënuar 8 gola dhe dhënë 9 asistime për klubin kryeqytetas.
Në karrierën e tij, Hoxha ka luajtur edhe për Lokomotivën e Zagrebit, Ballkanin, Prishtinën, Istogun dhe Besën e Pejës.
Gjatë verës u përfol se mund të ribashkohej me Jakirovicin te Hull City në Angli, por transferimi dështoi pasi klubi anglez u pezullua për shkak të shkeljes së rregullave të Fair Play Financiar.
Me kontratën e re, Dinamo e ka siguruar një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës, ndërsa Hoxha konfirmon edhe një herë vlerën e tij si një nga shqiptarët më të spikatur në futbollin kroat. /Kampionet/


Arbër Hoxha te Ballkani 