
Kenan Yildiz po konfirmohet si një nga talentet më të spikatur të Serie A, duke u kthyer në simbolin e skuadrës së re të Juventusit. Vetëm 20-vjeçar, sulmuesi turk mban tashmë fanellën ikonike me numrin 10 dhe madje ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit në disa ndeshje.
Por ngritja e tij e shpejtë nuk ka kaluar pa u vënë re në Evropë. Sipas raportimeve të Gazzetta dello Sport, Real Madrid është ndër klubet që po ndjek me kujdes situatën e Yildiz, në një kohë kur bisedimet për rinovimin e kontratës me Juventusin kanë ngecur.
Yildiz ka kontratë me “Zonjën e Vjetër” deri në vitin 2029, por drejtuesit e klubit po synojnë ta zgjatin deri në 2030, duke i ofruar edhe një rritje page. Aktualisht, ai është një nga lojtarët me pagën më të ulët në skuadër, pavarësisht rëndësisë që ka marrë në ekipin e parë.
Megjithatë, palët nuk kanë arritur marrëveshje, mosmarrëveshjet lidhen me aspektin financiar dhe disa klauzola të kontratës. Si pasojë, bisedimet janë pezulluar, dhe si Juventus ashtu edhe kampi i lojtarit po rishikojnë pozicionet e tyre.
Kenan Yildiz
Kjo situatë ka ringjallur interesimin e klubeve të mëdha evropiane si Real Madrid, Arsenal dhe Chelsea, ky i fundit raportohet se kishte bërë një ofertë prej 67 milionë eurosh gjatë verës së kaluar.
Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, thuhet të jetë një admirues i madh i Yildizit dhe e sheh atë si një shtesë të vlefshme për të ardhmen e skuadrës “mbretërore”.
Sipas të njëjtit raport, vlera e tregut e Yildizit mund të arrijë deri në 100 milionë euro në verën e ardhshme, çka do të thotë se çdo klub që dëshiron ta sigurojë shërbimet e tij do të duhet të bëjë një investim të madh financiar./Kampionet/


