
Michael Carrick do të mbetet në histori si një nga mesfushorët më të mëdhenj të brezit të tij, pas një karriere të jashtëzakonshme me Tottenham, Manchester United dhe Kombëtaren e Anglisë.
Carrick fitoi Ligën e Kampionëve, pesë tituj të Ligës Premier, një FA Cup dhe një trofe të Ligës së Evropës gjatë një karriere të shkëlqyer në nivel klubesh.
Megjithatë, mjeshtri i mesfushës nuk arriti ta përsëriste të njëjtin sukses në arenën ndërkombëtare.
Pavarësisht se ishte një pasues i jashtëzakonshëm i topit, ai u tërhoq nga kombëtarja me vetëm 34 paraqitje, pasi debutoi për Anglinë në vitin 2001 dhe u tërhoq nga futbolli ndërkombëtar në vitin 2015.
Carrick ishte pjesë e skuadrës së Anglisë që u eliminua nga Kupa e Botës 2010 në Afrikën e Jugut, pas humbjes 4-1 ndaj Gjermanisë, një ndeshje e mbushur me polemika.
Ajo ishte hera e fundit që Carrick mori pjesë në një turne të madh me Anglinë, dhe siç ka treguar në emisionin “Premier League” në BBC Two, periudhat me kombëtaren ishin për të jashtëzakonisht të vështira.
Michael Carrick
Ai madje pranoi se përvoja e tij e shtyu të kërkonte nga Federata Angleze të mos e ftonin më për ndeshjet ndërkombëtare.
“Kam qenë në skuadër për një kohë të gjatë dhe, për të qenë i sinqertë, e kisha shumë të vështirë të shkoja me Anglinë”.
“Nuk më shqetësonte aspak të udhëtoja me United për tre javë gjatë parasezonit dhe të kthehesha, por me Anglinë… ishte gati depressive”.
“Më bënte të ndihesha keq, kështu që pas Kupës së Botës në Afrikën e Jugut mendova: ‘Nuk mund ta bëj më këtë’”.
“Ndoshta isha në prag të… po, ndonjëherë isha në depression dhe i thashë Federatës: ‘Ju lutem, mos më ftoni më’”, ka thënë Carrick./Kampionet/


