
Ylli i Inter Miamit, Lionel Messi, ka reaguar ndaj lajmërimit për daljen në pension të miqve të tij të hershëm dhe shokëve të ekipit, Sergio Busquets dhe Jordi Alba.
Duke folur në një intervistë me Fabrizio Romanon, legjenda argjentinase tregoi ndjenjat e tij për pensionimin e dy prej bashkëlojtarëve më të mirë në karrierë.
“Sinqerisht, është e vështirë. Së pari, sepse e sheh që ia ke kushtuar të gjithë jetën tënde profesionale futbollit, që njerëzit përreth teje po fillojnë të largohen dhe e kupton që edhe momenti yt do të vijë së shpejti”, ka thënë fillimisht Messi.
“Dhe së dyti, sepse ne ishim gjithmonë në harmoni brenda dhe jashtë fushës, dhe ndanim shumë gjëra edhe me familjet tona. Pra, është një humbje miqsh, si brenda ashtu edhe jashtë fushës”.

“Dhe sigurisht, këto janë momente të vështira edhe për ta, sepse të lësh pas diçka që e do nuk është kurrë e lehtë”.
37-vjeçari theksoi gjithashtu dëshirën e tij për të luajtur në Kupën e Botës 2026, por në fund të fundit kjo do të varet nga gjendja e tij fizike dhe mendore.

“Dëshira dhe entuziazmi për të qenë atje në Kupën e Botës është shumë e qartë. Por dua të vazhdoj të ndiej se jam në formë të mirë, në mënyrë që të mund të kontribuoj dhe të jem i rëndësishëm për ekipin”.
“Mendoj se varet nga të qenit në gjendje të mirë fizike dhe besimi se mund të performoj në nivelin më të lartë të mundshëm”, përfundoi argjentinasi. /Kampionet/


