BallinaLiga NdërkombëtareMbappe nën hetim për korrupsion, merret në pyetje edhe nëna e tij...

Mbappe nën hetim për korrupsion, merret në pyetje edhe nëna e tij – Kampionet

Kylian Mbappe është marrë në pyetje nga autoritetet franceze në kuadër të një hetimi për korrupsion, që lidhet me pagesa të dyshimta dhe favore të mundshme në rastin e ish-shefit të sigurisë së Kombëtares së Francës.

Sipas raportimeve të mediave franceze, në qendër të hetimit është Mohamed Sanhadji, 57-vjeçar, i cili për më shumë se 20 vjet ishte përgjegjës për sigurinë e “Gjelave” dhe kishte krijuar marrëdhënie të afërta me futbollistët e Kombëtares.

Sanhadji është akuzuar zyrtarisht më 16 shtator për korrupsion dhe vepra të tjera të dyshuara. Sipas gazetës “L’Equipe”, Mbappe është marrë në pyetje në Paris më 30 shtator, në lidhje me këtë çështje.

Një nga elementet kryesore që po hetohen është një pagesë prej 60 mijë e 300 eurosh, të cilën ylli francez ia kishte transferuar Sanhadjit në qershor të vitit 2023. Shuma dyshohet se vinte nga bonusi që Mbappe kishte përfituar pas Kampionatit Botëror në Katar.

Sipas bashkëpunëtorëve të futbollistit, kjo pagesë ishte një gjest mirënjohjeje ndaj pjesëtarëve të sigurisë, ndërsa nga shuma kishin përfituar edhe katër zyrtarë të tjerë. Megjithatë, sipas raportimeve, Sanhadji nuk e kishte deklaruar pagesën te eprorët e tij.

Vetëm disa javë më vonë, ish-zyrtari i policisë e kishte shoqëruar Mbappen në një udhëtim në Kamerun. Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë nëse Sanhadji kishte ofruar shërbime private të sigurisë për futbollistin dhe nëse kishte marrë pagesë për këtë shërbim.

Në këtë çështje është përfshirë edhe nëna e sulmuesit të Real Madridit, Fayza Lamari. Sipas raportimeve, në vitin 2024 Mbappe i kishte dhënë Sanhadjit një hua prej 120 mijë eurosh përmes nënës së tij.

Lamari dyshohet se i kishte kërkuar ndihmë Sanhadjit për katër aplikime për viza për persona të rrethit të saj. Ajo është marrë në pyetje më 9 tetor nga tre gjyqtarë hetues lidhur me këtë çështje.

Hetimi përfshin edhe emra të tjerë të njohur të futbollit. Ish-sulmuesi i Bayern Munichut, Franck Ribery, dyshohet se kishte paguar udhëtimin e Sanhadjit në Sicili, ndërsa Raphael Varane dhe Laurent Blanc raportohet se i kishin dhënë atij hua.

Në total, Sanhadji dyshohet se ka marrë më shumë se 300 mijë euro nga futbollistë të ndryshëm. Autoritetet po hetojnë nëse në këmbim të këtyre pagesave janë ofruar favore të paligjshme.

Deri më tani, mbetet në dorën e hetuesve të përcaktojnë nëse pagesat dhe marrëdhëniet e përmendura përbëjnë shkelje ligjore. Për të gjithë personat e përfshirë vlen prezumimi i pafajësisë./Kampionet/

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -Hapsir per reklama 300x250

Most Popular

Recent Comments