
Paraqitja e shkëlqyer ndaj Manchester Unitedit e konfirmon rëndësinë e mesfushorit të Atlético Madridit, Pablo Barrios, i cili po dëshmon se vlera e tij mund të jetë shumë më e madhe se klauzola e lirimit.
Liga Premier ka fuqinë financiare, por Atlético Madridi e ka thesarin e vet në mesfushë: Pablo Barriosin. Mesfushori spanjoll shkëlqeu në fitoren 2-0 ndaj Manchester Unitedit, duke kontrolluar ritmin e lojës dhe duke dëshmuar se është një prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës së Diego Simeones.
Sipas analizës së Marcas, investimi prej 132.2 milionë eurosh që Manchester Unitedi bëri për të përforcuar mesfushën gjatë verës nuk mjaftoi për ta ndalur Barriosin. Spanjolli diktoi lojën sipas dëshirës, duke kombinuar pasimet e sakta, driblimet dhe aftësinë për të thyer linjat kundërshtare. Për më tepër, ai e kurorëzoi paraqitjen me golin e parë të ndeshjes.
Barrios ka një klauzolë lirimi prej 500 milionë eurosh, një shifër që Atletico e përdor për të mbrojtur një prej aseteve më të çmuara të klubit. Por, duke parë paraqitjet e tij dhe shumat e shpenzuara së fundmi në tregun e transferimeve, vlera e mesfushorit mund të konsiderohet edhe më e lartë.

Investimet e mëdha të Ligës Premier, por jo të gjithë po bindin
Klubet angleze kanë shpenzuar shuma të mëdha për përforcimin e mesfushës, por jo të gjithë futbollistët e transferuar kanë arritur të bëjnë diferencën. Sipas Marca, pesë investimet më të mëdha për mesfushorë qendrorë gjatë verës kanë arritur së bashku në 582 milionë euro, pa prodhuar deri tani ndikim të krahasueshëm me atë të Barriosit.
Anderson, i transferuar nga Nottingham Foresti te Manchester City për 135 milionë euro, përmendet si një prej lojtarëve që po e justifikon investimin. Në anën tjetër, emra si Sandro Tonali dhe Mateus Fernandes nuk kanë arritur ta ndryshojnë në mënyrë të dukshme nivelin e skuadrave të tyre, sipas vlerësimit të mediumit spanjoll.
Këto krahasime e bëjnë edhe më të qartë rëndësinë e Barriosit për Atlético Madridin. Ai nuk është vetëm një mesfushor që fiton duele apo shpërndan pasime, por një futbollist që ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si skuadra e kontrollon lojën dhe ndërton aksionet.

Një yll që Simeone duhet ta ruajë
E tashmja dhe e ardhmja e Atletico Madridit lidhen ngushtë me Barriosin. Prania e tij në mesfushë është thelbësore për ambiciet e klubit, ndërsa paraqitjet e fundit kanë treguar se sa shumë mund të ndikojë ai në nivelin e skuadrës.
Megjithatë, shqetësimi kryesor i Simeones është gjendja fizike e mesfushorit. Një dëmtim i fundit e la atë jashtë fushave për rreth një muaj, duke bërë që trajneri të jetë më i kujdesshëm me minutat e tij. Barrios humbi tri ndeshje, përfshirë derbin, dhe Atlético nuk dëshiron të rrezikojë një mungesë tjetër të gjatë.
Për këtë arsye, Simeone ka nisur ta menaxhojë më me kujdes ngarkesën e tij, siç u pa edhe me zëvendësimet në minutat e fundit të ndeshjeve ndaj Alavésit dhe Manchester Unitedit. Edhe pse nuk është e lehtë ta largosh nga loja një prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës, kalendari i ngjeshur dhe historia e dëmtimeve e bëjnë këtë vendim të domosdoshëm.

Atlético Madridi e di se ka në radhët e veta një mesfushor të veçantë. Me klauzolën prej 500 milionë eurosh dhe paraqitjet që po bindin gjithnjë e më shumë, Barrios po dëshmon se është një nga pasuritë më të çmuara të klubit, por sfida e Simeones është ta mbajë atë të shëndetshëm për ndeshjet që vendosin sezonin. /Kampionet/
– YouTube www.youtube.com


