
Albi Mall Superliga e Kosovës do të vazhdojë edhe sot (e mërkurë) me ndeshjet që janë për t’u zhvilluar sipas programit në kuadër të xhiros së nëntë.
Kjo javë nisi dje (e martë) me dy ndeshje Ballkani-Drita (0-1) dhe Gjilani-Drenica (3-0), ndërsa do të vazhdojë edhe sot me dy duele të tjera tejet interesante.
Në duelin e parë skuadra e promovuar këtë sezon në elitë Feronikeli ’74, do të jetë nikoqir i Llapit në stadiumin ‘Rexhep Rexhepi’ në Drenas.
Feronikeli ’74 vjen pas barazimit 2-2 në Skenderaj ndaj Drenicës, ndërsa Llapi pas tri humbjeve radhazi, e fundit ndaj Ballkanit me rezultat 1-0 në Suharekë.
Ndërkohë në duelin tjetër Dukagjini do të pres në Klinë ekipin tjetër të promovuar në Superligë këtë sezon, Vushtrrinë, me këta të fundit që xhiron e kaluar morën fitoren e parë këtë edicion, duke mposhtur me rezultat 1-0 Gjilanin.
Përndryshe të dyja këto ndeshje është planifikuar që të nisin me fillim nga ora 14:00./Kampionet/


