
Mbrojtësi nga Kosova, David Domgjoni, ka ndërtuar një karrierë të pasur ndërkombëtare, duke luajtur në kampionate të ndryshme, përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Turqinë, Zvicrën, Poloninë, Kazakistanin dhe Izraelin. Aktualisht, ai është pjesë e klubit Kapaz në Azerbajxhan.
Domgjoni e njeh mirë futbollin izraelit, pasi ka qenë pjesë e Hapoel Jerusalem. Ai u largua nga Izraeli për shkak të situatës së luftës në vend, ndërsa përvoja e tij atje i ka dhënë mundësinë të njohë nga afër edhe futbollin dhe lojtarët izraelitë.
Mbrojtësi ka tri paraqitje me Kombëtaren e Kosovës. Ai ishte ftuar në pesë grumbullime gjatë periudhës kur Bernard Challandes ishte përzgjedhës, në vitin 2021. Domgjoni ka luajtur nga 90 minuta në miqësoret ndaj Guinesë dhe Gambisë, ndërsa ndeshja e tij e vetme zyrtare me Kosovën ishte ndaj Suedisë, në humbjen 3-0, ku u aktivizua për 17 minuta.

Si futbollist që e njeh nga afër futbollin izraelit dhe si ish-pjesëtar i Kombëtares së Kosovës, Domgjoni ka folur për Kampionetn për ndeshjen Izrael–Kosovë, e cila zhvillohet të enjten në kuadër të Ligës së Kombeve.
“Përvoja ime në Izrael, në aspektin profesional, ka qenë shumë e mirë, pasi është një ligë e fortë dhe me shumë cilësi. Megjithatë, gjatë kohës sa kam qenë atje, situata e luftës ka qenë shqetësuese. Për sa i përket ligës, ka diferenca të mëdha me kampionatet e Kosovës dhe Shqipërisë, pasi ekipet kanë buxhete shumë më të larta dhe, normalisht, edhe lojtarë më cilësorë”, ka thënë Domgjoni.
Megjithatë, ai nuk sheh diferenca të tilla mes dy kombëtareve, madje sipas Domgjonit, Kosova ka cilësi që t’i marr tri pikët në përballjes e së enjtes.
“Nga diferencat që i ceka më sipër, sa i përket ligave, ndërmjet Izraelit dhe Kosovës, tek ekipet kombëtare mund të them se nuk ekzistojnë ato diferenca. Unë, për mendimin tim, them se ne kemi ekip më cilësor se Izraeli”.

“Duke parë që ndeshjen e luajnë jashtë shtetit të tyre (Hungari), mendoj se edhe pjesa e tifozëve tanë që janë në çdo cep të botës do të jenë në krah të Kombëtares sonë. Edhe në Hungari kam besim se do të jenë të shumtë dhe kjo është një armë shumë e fortë e ekipit tonë. Kam shumë besim se në këtë ndeshje ekipi ynë do ta gjejë rrugën drejt fitores”, u shpreh ai.
Domgjoni ka folur edhe për lojtarët që i konsideron më të rrezikshëm te Izraeli, duke veçuar Dor Peretz dhe Manor Solomon.
“Gjatë kohës sa kam qenë atje, i kam ndjekur edhe ndeshjet e Kombëtares së Izraelit, pasi aty luanin disa lojtarë nga kampionati izraelit”.
“Me aq sa kam parë dhe ndjekur, them se dy lojtarët që bëjnë më së shumti diferencën dhe janë më të rrezikshmit janë mesfushori Dor Peretz, i cili është një lojtar i fuqishëm dhe i mirë në lojën në ajër, sidomos në goditjet standarde. Pika më e fortë e tij mendoj se janë vrapimet mes linjave dhe, edhe pse është mesfushor, është nuhatës shumë i mirë i golit.
“Pastaj është Manor Solomon, i cili është një lojtar shumë i mirë në driblime dhe në situatat një kundër një di të jetë shumë i rrezikshëm”, deklaroi Domgjoni.

Në fund, mbrojtësi nuk dha ndonjë këshillë specifike për mënyrën se si Kosova duhet ta përballojë Izraelin, duke theksuar besimin e tij te përgatitja e ekipit.
“Ndonjë këshillë specifike nuk kam, pasi jam i bindur se këtë ndeshje do ta përgatisin shumë mirë. I shoh të gjitha ndeshjet dhe jam i lumtur për rritjen e Kosovës ndjeshëm në vitet e fundit. Unë vetëm ju uroj suksese dhe shumë fat në këtë përballje, por edhe në të tjerat, me shpresën që t’i arrijnë objektivat që i kanë para vetes”, përfundoi Domgjoni.
Kosova dhe Izraeli përballen për herë tët tretë mes vete, ku nga dy përballjet e kaluara, Dardanët kanë një fitore dhe një barazim. /Kampionet/


