
Një nga yjet e Real Madridit ka dëshmuar sërish përkushtim të plotë ndaj fanellës galaktike në fitoren 2-1 ndaj Barcelonës. Fjala është për mesfushorin Federico Valverde, që sipas raportimeve, ka luajtur me ‘gastroenterit’, që nënkupton infeksion në stomak gjatë gjithë ndeshjes.
Mesfushori uruguaian u aktivizua që nga minuta e parë në “Santiago Bernabeu”, në edicionin e parë të këtij sezoni të “El Clasicos”. Me Dani Carvajal të rikuperuar pjesërisht, Valverde u rikthye të luajë si mbrojtës i djathtë, një rol që e ka përmbushur me profesionalizëm të lartë.
Pavarësisht se nuk ishte në 100 për qind të formës, Valverde shkëlqeu në fushë – duke mbuluar çdo hapësirë dhe duke dhënë gjithçka për ekipin.
Federico Valverde
Sipas gazetarit Sergio Quirante (DAZN), “Fede Valverde e luajti ndeshjen me gastroenterit, prandaj edhe u pa i rraskapitur në fund.”
Uruguaiani është parë disa herë gjatë ndeshjes në gjendje të vështirë, por asgjë nuk e ndaloi të kontribuonte në një nga fitoret më të rëndësishme të Real Madridit këtë sezon.
Një tjetër shembull i përkushtimit dhe karakterit të Federico Valverde, që vazhdon të jetë një nga shtyllat më të forta të skuadrës së Xabi Alonsos.
Përndryshe, Reali vazhdon si lider i vetëm në La Liga me 27 pikë, pesë mbi Barcelonën, e cila renditet e dyta./Kampionet/


