
Real Madridi ka nisur diskutimet për një kontratë të re dhe luksoze për Jude Bellinghamin, me klubin spanjoll që synon t’ia rrisë pagën në nivelin e Vinicius Juniorit.
Sipas gazetarit Jorge Picon, drejtuesit e Real Madridit duan ta shpërblejnë mesfushorin anglez për paraqitjet e tij dhe njëkohësisht ta mbrojnë nga interesimi në rritje i klubeve të Ligës Premier.
Bellingham ka kontratë me Real Madridin deri në vitin 2029, por klubi nuk dëshiron të presë deri në vitet e fundit të marrëveshjes për të përmirësuar kushtet e tij.
“Los Blancos” synojnë që ta vendosin anglezin në grupin e lojtarëve më të paguar të skuadrës, së bashku me Viniciusin dhe Kylian Mbappen.
Rritja e pagës do të ishte edhe një sinjal i qartë për rëndësinë që Bellingham ka në projektin e klubit madrilen.

Anglezi është shndërruar në një prej figurave kryesore të skuadrës që prej transferimit nga Borussia Dortmundi dhe Real Madridi dëshiron ta sigurojë të ardhmen e tij afatgjatë në “Santiago Bernabeu”.
Sipas raportimeve, klubi ka fituar hapësirë në strukturën e pagave pas disa largimeve të fundit, të cilat kanë reduktuar shpenzimet e përgjithshme për pagat e lojtarëve.
Kjo i ka dhënë Real Madridit mundësinë që të bëjë një rregullim të rëndësishëm financiar për Bellinghamin, pa krijuar presion të madh në buxhetin e pagave.
Në Madrid duan të shmangin çdo mundësi që interesimi i klubeve të Ligës Premier të kthehet në një kërcënim real për të ardhmen e 23-vjeçarit./Kampionet/


