
Ish-sulmuesi italian Antonio Cassano, i cili gjatë karrierës ka veshur fanellën e disa prej klubeve më të mëdha italiane si Roma, Milan, Inter, Sampdoria e Parma, por edhe të Real Madridit, ka shkaktuar sërish reagime të forta në kryeqytetin italian pas deklaratave të tij të fundit.
Cassano foli për një nga momentet më të diskutueshme të viteve të fundit në Serie A — fitoren e Sampdorias kundër Romës në vitin 2010, ndeshje që i kushtoi klubit verdhekuq titullin kampion.
Pas asaj humbjeje, Roma ra nga vendi i parë dhe Interi e kaloi në renditje, duke e mbyllur sezonin si kampion.
Një e kaluar e trazuar në “Olimpico”
Cassano luajti për Romën për pesë vjet në fazat e hershme të karrierës së tij të bujshme, përpara se të transferohej te Real Madridi. Pas kthimit në Itali, ai vazhdoi karrierën te Sampdoria, Parma, Verona dhe më pas te të dy gjigantët e Milanos – Milan dhe Inter – deri në fund të rrugëtimit të tij futbollistik.
Italiani, i cili e përfundoi karrierën para shtatë vitesh, u transferua te Roma nga Bari si një talent i jashtëzakonshëm dhe shumë shpejt u shndërrua në një nga yjet kryesorë të ekipit, duke formuar një dyshe të frikshme me Francesco Tottin.
Megjithatë, jashtë fushës, Cassano ishte shpesh në qendër të polemikave për shkak të karakterit të tij impulsiv dhe konflikteve të shpeshta me trajnerët – madje edhe me vetë Tottin, idhullin e madh të tifozëve romanë.
Largimi i tij nga Roma ndodhi në një atmosferë të tensionuar, dhe Cassano nuk ngurroi asnjëherë të kritikonte publikisht klubin dhe ish-kapitenin e tij.

Deklarata që ndezi sërish kryeqytetin italian
Në një rrëfim për një emision sportiv italian, Cassano kujtoi me detaje ndeshjen vendimtare të vitit 2010 midis Sampdorias dhe Romës, e zhvilluar katër javë para fundit të kampionatit.
Në atë kohë, Roma udhëhiqte me një pikë më shumë se Interi, por humbja 2-1 ndaj skuadrës së tij e ndryshoi fatin e titullit.
“Totti donte të fliste me mua para ndeshjes. Tha që po luanim shumë mirë atë sezon, më pyeti për familjen time dhe unë i thashë të hynte direkt në temë. Ai më tha se nëse fitonin atë ndeshje, do të ishin praktikisht kampionë. Madje shtoi se edhe në rast humbjeje (Sampdoria), nëse fitonin tre ndeshjet e fundit, do të siguronim kualifikimin për në Ligën e Kampionëve”.

“Unë i thashë se do t’i mundnim. Dhe jo vetëm kaq – i premtova se do të sigurohesha që ai të mos e fitonte kampionatin, dhe se ai dhe tifozët e Romës, të cilët më kishin tallur si qen kur u largova nga klubi, do të qanin për shkakun tim. Dhe përfundoi ashtu siç doja: fituam 2-1”.
“Totti dhe tifozët qanë pas ndeshjes, por unë e shijova jashtëzakonisht shumë. Dola nga stadiumi me të brendshme, vërtet kalova shumë mirë” – tregoi 43-vjeçari Cassanno.
Deklarata e Cassanos ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale dhe në mediat italiane, ku shumë tifozë romanë e kanë cilësuar si “të tepruar” rikthimin e tij pas kaq vitesh tek ajo plagë e dhimbshme që i kushtoi Romës titullin e Serie A në vitin 2010. /Kampionet/
– YouTube www.youtube.com


