
Kombëtarja e Algjerisë, e cila tashmë është kualifikuar për Kupën e Botës 2026, vazhdon me planin për të forcuar ekipin kombëtar për sfidat e ardhshme.
Pas prurjes së një portieri të ri, Luca Zidane i Granadas, djali i legjendarit Zinedine Zidane, përmes natyralizimit në muajin shtator, vëmendja tani po zhvendoset te përforcimet e reja.
Anëtari më i ri i ekipit të Vladimir Petkovic është Elias Benkara, një portier 18-vjeçar nga ekipi i dytë i Borussia Dortmund, i cili më parë ka luajtur për ekipet e të rinjve të Gjermanisë deri në moshën U-17.
Por duket se nuk mbaron me kaq. Sipas portalit Fennec Football, Federata e Futbollit të Algjerisë po përpiqet të bindë Ethan Mbappe, vëllain e vogël të yllit francez Kylian Mbappe, që ta pranojë ftesën dhe të veshë fanellën e “Dhelprave të Shkretëtirës”.
Sipas të njëjtit burim, Federata Algjeriane ka kontaktuar tashmë nënën e Ethanit, Fayza Lamari, e cila është me origjinë algjeriane, me qëllim që sulmuesi i ri i Lille të marrë shtetësinë dhe të jetë në dispozicion të trajnerit Petkovic pas përfundimit të Kupës së Kombeve të Afrikës, e cila fillon më 21 dhjetor.
“FAF nuk dëshiron vetëm të forcojë ekipin, por edhe t’i dërgojë një mesazh të fortë diasporës algjeriane dhe botës së futbollit”, deklaron Fennec Football, duke theksuar se mbërritja e djalit të Zidane dhe mundësia e ardhjes së Ethan Mbappe do të simbolizonin një epokë të re në ekipin kombëtar.
“Qëllimi është i qartë: të forcohet ekipi kombëtar me talentë të rinj me origjinë algjeriane dhe në këtë mënyrë të sigurohet një tranzicion i fortë dhe konkurrues brezash para Kupës së Kombeve Afrikane në vitin 2025 dhe Kupës së Botës në vitin 2026”, përfundon Fennec Football. /Kampionet/



