
Interesimi i Kosovës për sulmuesin e Rijekas Dominik Thaqi ka marrë një vëmendje të madhe në Kroaci, ku mediat lokale i kanë bërë thirrje Federatës Kroate të përkujdesën që të mos e humbasin edhe këtë talent njësoi si Veldin Hoxhën.
Agjenti Matej Skrego ekskluzivisht për Kampionetn konfirmoi se Kosova e ka kontaktuar lojtarin, por që marrëveshja e mundshme që mund ta sheh Thaqin në fanellën dardane mund të kryhet vetëm përmes tij.
“Po, Kosova e ka thirrur atë. Ai i ka transmetuar të gjitha tek unë që jam menaxheri i tij. Dominiku është i fokusuar vetëm në futboll dhe stërvitje. Unë do të bisedoj me Federatën në rast që më kontaktojnë”, kishte deklaruar ai të enjten.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i mediave kroate, që duke cituar Kampionetn, i bënë thirrje Kroacisë ta shikojnë me kujdes këtë situatë, meqenëse edhe humbën Veldin Hoxhën para disa muajve, i cili gjithashtu zgjodhi Kosovën.
“Një tjetër çështje si Hoxha? Kosova po provon ta rrëmbejë të preferuarin e Sanchezit”, shkruan mediumi i njohur “Germanijak”.
“Kosova po e vjedh një talent nga Kroacia”, shton si pyetje mediumi “index.hr”.
“Kosova dëshiron ta marrë sulmuesin e talentuar nga Kroacia: Po e kanë kontaktuar”, shkruan “Tportal.hr”.
Secili nga mediumet e lartpërmendura përmend faktin se Thaqi ka lindur në Pula të Kroacisë, por prindërit i ka të Kosovës, prandaj edhe ka të drejtë të luajë në fanellën dardane.
Kujtojmë, Thaqi përndryshe ka të drejtë ta përfaqësojë edhe kombëtaren e Shqipërisë./Kampionet/


