
Kylian Mbappe është liruar nga grumbullimi i Francës për shkak të shqetësimeve në kyçin e këmbës, ndërsa edhe Eduardo Camavinga është kthyer në Madrid për të kryer teste mjekësore.
Camavinga, i cili humbi ndeshjet e shtatorit pikërisht për shkak të një dëmtimi në kyç, nuk u stërvit me pjesën tjetër të Kombëtares në ditët para fitores 4–0 ndaj Ukrainës. Nga ana tjetër, Mbappe luajti 90 minuta dhe shkëlqeu me dy gola e një asist, duke i drejtuar “Les Bleus” drejt Botërorit 2026.
Meqenëse sfida e së dielës ndaj Azerbajxhanit nuk ka peshë, Didier Deschamps vendosi t’i kthejë të dy lojtarët te Real Madridi.
“Kylian Mbappe ende ka inflamacion në kyçin e djathtë dhe i nevojiten ekzaminime të mëtejshme,” thuhej në njoftimin e Federatës Franceze.
Në të njëjtin komunikim u sqarua se Camavinga ka një problem muskulor në kofshë, edhe pse Deschamps e minimizoi shqetësimin: “Do të largohet të premten për të kryer disa teste. Nuk është dëmtim, vetëm një shqetësim muskulor”.
Kylian Mbappe
Real Madridi rikthehet në fushë më 23 nëntor ndaj Elches, dhe këto ditë do të tregojnë nëse Mbappe apo Camavinga do të jenë gati për ndeshjen e La Ligas.
Edhe pse Mbappe nuk dha shenja shqetësuese kundër Ukrainës, rikthimi i tij para kohe ka hapur diskutime. Sulmuesi ka luajtur çdo ndeshje këtë sezon, duke nisur 16 takime radhazi në La Liga dhe Ligën e Kampionëve, ndërsa minuta më e shkurtër e tij ishte 79 minuta kundër Valencias.
Sido që të jetë, sipas “AS” në Madrid mbizotëron qetësia. Klubi beson se Mbappe, me 18 gola në 16 ndeshje, po merr pushimin e duhur për të shmangur një dëmtim të vërtetë, dhe jo se bëhet fjalë për rikthim të problemit në kyç që e la jashtë në fillim të sezonit./Kampionet/


