
Faqja zyrtare e klubit spanjoll, Celta Vigo, ka bërë shaka me tifozit e njohur të Manchester United, Frank Ilett, i cili njihet për flokët e tij të gjata shkaku i një ‘basti’ për pesë fitore radhazi nga Djajtë e Kuq.
Tifozi i Djajve të Kuq u bë i njohur para një kohe kur vendosi të bëjë bast me veten duke thënë se nuk do të qethet derisa ekipi i tij favorit t’i bëjë pesë fitore radhazi.
Megjithatë, që nga tetori i vitit 2024, Unitedi nuk ka arritur t’i bëjë asnjëherë pesë fitore radhazi dhe Ilett tashmë është bërë një njeri me flokë të gjata.
Por, kjo nuk vlen edhe për klube tjera pasi të enjten mbrëma klubi spanjoll, Celta Vigo, ka arritur fitoren e pestë radhazi duke mposhtur Dinamo Zagrebin me rezultat 0-3 në Ligën e Evropës.
Kjo fitore e pestë radhazi ka bërë që faqja zyrtare e Celta Vigos të bëjë shaka me Illet.
“5 fitore radhazi”, ka shkruar faqja zyrtare e Celta Vigos, e cila ia ka bashkangjitur dy fotografi të tifozit anglez, ku njëra ishte me fanellën e Unitedit me flokë të gjata dhe tjetra si tullac me fanellën e Celtas.
Ndryshe, Celta përveç Dinamo Zagrebit ka fituar edhe ndaj Levantes, Puerto de Vega, Osasunas dhe Nice. /Kampionet/



