
Sulmuesi argjentinas Joaquin Panichelli, golashënuesi më i mirë i Ligue 1, ka filluar të tërheqë vëmendjen e disa klubeve evropiane, përfshirë Barcelonën.
Me 10 gola në 13 ndeshje zyrtare këtë sezon, Panichelli është konsoliduar si arma kryesore sulmuese e Strasbourgut dhe një nga sulmuesit më premtues në skenën evropiane.
Performanca e tij nuk ka kaluar pa u vënë re, dhe disa klube tashmë kanë shfaqur interes për transferimin e tij.

Sipas Mundo Deportivo, Barcelona ka nisur kërkimin për një pasues të Robert Lewandowskit, dhe Panichelli shihet si një alternativë për moshën dhe koston e tij të përballueshme.
Së fundmi, mediat kanë përmendur edhe kamerunasin Karl Etta Eyong nga Levante, 22 vjeç, si një nga objektivat e klubit, por nuk përjashtohet mundësia që katalanasit të fokusohen tek Panichelli, i cili mund të jetë më ekonomik krahasuar me sulmuesit e tjerë të njohur.

Sipas Gazzetta dello Sport, AC Milan dhe Chelsea gjithashtu po e ndjekin sulmuesin argjentinas, i cili pas një huazimi të suksesshëm te Mirandes (21 gola), u transferua verën e kaluar te Strasbourg për 16,5 milionë euro nga Deportivo Alaves.
Panichelli duket si një opsion i ri dhe efektiv për të forcuar sulmin e FC Barcelona pa e rrezikuar buxhetin. /Kampionet/


