
Forcimi i sulmit është një nga prioritetet kryesore të Barcelonës për sezonin e ardhshëm.
Klubi katalanas dëshiron të forcojë një repart që, nëse nuk ndodh një surprizë e madhe, do të thotë lamtumirën me sulmuesin polak Robert Lewandowski në fund të sezonit aktual.
Objektivat e sulmit
Sulmuesi i parë që Barcelona ka vënë në shënjestër është Serhou Guirassy 29-vjeç, sulmues guineas që luan për Borussia Dortmund.

Ai tërheq vëmendjen jo vetëm për aftësitë fizike dhe teknike, por edhe për nuhatjen e golit (44 gola dhe 13 asistime në 62 ndeshje me BvB) dhe përvojën e tij.
Një tjetër avantazh është klauzola e lirimit në kontratën e tij, e cila pritet të ulet në 50 milionë euro gjatë verës së ardhshme.
Më i përballueshëm mund të rezultojë kandidati i dytë: Etta Eyong, sulmues kamerunas 22-vjeçar që ka treguar përparim të jashtëzakonshëm kohët e fundit (6 gola dhe 3 asistime këtë sezon).

Aktualisht, Eyong ka kontratë me Levanten deri në 2029, megjithatë e kaluara e tij te Villarreal mund të sjellë disa të drejta të cilat mund të komplikojnë negociatat. /Kampionet/


