
Me afrimin e fundit të epokës së Robert Lewandowskit, Barcelona ka hyrë në një fazë vendimtare të planifikimit të së ardhmes. Sulmuesi polak tashmë është 37 vjeç dhe kontrata e tij skadon në fund të këtij sezoni, ndaj drejtuesit katalanas po përgatiten për një tranzicion të madh në repartin ofensiv.
Edhe pse Lewandowski vazhdon të shënojë rregullisht — siç dëshmon het-triku i fundit ndaj Celta Vigo — drejtori sportiv Deco dhe stafi i tij kanë nisur kërkimin për trashëgimtarin e duhur të “numrit 9”.
Qëllimi është i qartë: të gjendet një sulmues që mund të udhëheqë ekipin për shumë vite, por pa cenuar stabilitetin financiar të klubit, i cili mbetet delikat. Përveç instinktit të golit, kandidati ideal duhet të përshtatet me futbollin pozicional të Barcelonës, të bashkëpunojë ngushtë me mesfushorët dhe të marrë pjesë aktive në presing.

Sipas mediave spanjolle dhe evropiane, Barcelona ka hartuar një listë të ngushtë me disa emra që përfshijnë lojtarë të afirmuar ndërkombëtarë dhe talente premtuese.
1. Julian Alvarez (Atletico Madrid)
Një dëshirë e kahershme e skautëve të Barcelonës. Inteligjent, shumë i lëvizshëm dhe taktikisht perfekt për stilin katalanas të lojës. Megjithatë, Atletico kërkon mbi 100 milionë euro, çka e bën transferimin pothuajse të pamundur. Argjentinasi, kampion bote dhe vetëm 25 vjeç, shihet si pasuesi ideal në letër, por jo në realitetin financiar të klubit.

2. Fisnik Asllani (Hoffenheim)
Një alternativë interesante dhe gjithnjë e më e përfolur në qarqet katalanase. 23-vjeçari nga Kosova po shkëlqen në Bundesligë me Hoffenheim, ku po tregon se mund të jetë “ylli i fshehur” i afatit kalimtar. I shpejtë, teknikisht i aftë dhe me një klauzolë lirimi nën 30 milionë euro, Asllani përfaqëson një zgjedhje të mençur dhe ekonomikisht të qëndrueshme për të ardhmen.

3. Serhou Guirassy (Borussia Dortmund)
Pas formës së shkëlqyer në Bundesligë, Guirassy është në radarët e shumë klubeve të mëdha. Edhe Barcelona e ndjek nga afër, por çmimi mbi 70 milionë euro mund të jetë pengesë serioze. Edhe pse do të sillte forcë fizike dhe eksperiencë, transferimi i tij mbetet i vështirë.

4. Harry Kane (Bayern Munich)
Një emër i madh, por pak i mundshëm. Kane ka një klauzolë prej rreth 65 milionë euro, megjithatë paga e lartë dhe mosha (32 vjeç) e bëjnë një opsion të komplikuar. Ai mund të konsiderohet vetëm si zgjidhje afatshkurtër nëse klubi kërkon një lider me përvojë.

5. Dusan Vlahovic (Juventus)
Sulmuesi është rikthyer fuqishëm në planet e Barcelonës. Me fizikun e tij imponues dhe stilin klasik të “qendrës së avancuar”, ai do t’i jepte dimension të ri repartit të sulmit. Kontrata e tij me Juventusin po shkon drejt fundit, çka e bën transferimin të arritshëm edhe financiarisht. Për këtë arsye, Vlahovic shihet si një nga favoritët e Decos.

Duke marrë parasysh gjendjen financiare të klubit, është e vështirë të pritet që Barcelona të shpenzojë më shumë se 60–70 milionë euro për një sulmues të ri.
Më i mundshmi është një tranzicion gradual: rinovimi i kontratës së Lewandowskit për një sezon tjetër dhe përfshirja e ngadalshme e një sulmuesi të ri në skuadër.
Në këtë kontekst, Asllani dhe Vlaovic duken si alternativat më të arsyeshme — të përballueshme, të rinj dhe me potencial të madh zhvillimi.

Álvarez do të ishte zgjidhja ideale, por realiteti financiar i Barcelonës detyron Decon të mendojë më shumë me kokë se me zemër.
Cilido qoftë vendimi përfundimtar, zgjedhja e pasuesit të Lewandowskit do të jetë një moment kyç për të ardhmen e Barcelonës — një provë për mënyrën se si klubi do të arrijë të ruajë ekuilibrin mes filozofisë së lojës dhe kufizimeve ekonomike të kohës moderne. /Kampionet/


