
Fondi i investimeve Apollo Sports Capital është aksionari i ri kryesor i Atletico Madrid, njoftoi klubi spanjoll.
“Atletico Madrid dhe aksionarët e saj kryesorë — Miguel Angel Gil, Enrique Cerezo, Quantum Pacific Group dhe fondet e menaxhuara nga Ares Management — kanë arritur një marrëveshje që Apollo Sports Capital (ASC), një kompani globale investimesh sportive, të bëhet aksionari kryesor i klubit tonë”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit.
Katër ish-aksionarët kryesorë ulën aksionet e tyre për të lejuar investitorin e ri të marrë një pjesë të madhe të aksioneve.
Megjithatë, Miguel Angel Gil dhe Enrique Cerezo do të vazhdojnë të drejtojnë Atleticon si drejtor ekzekutiv dhe kryetar i bordit, përkatësisht, dhe do të mbeten aksionarë, duke garantuar vazhdimësinë e vizionit dhe udhëheqjen e klubit.
Sipas klubit, investimi i ASC synon të forcojë pozicionin e Atletico Madridit midis elitës së futbollit dhe të mbështesë ambicien për sukses afatgjatë për tifozët në të gjithë botën.
Aksionarët planifikojnë gjithashtu të sigurojnë kapital të ri për të mbështetur planet afatgjata, përfshirë investime në ekip dhe projekte të mëdha infrastrukturore. Detajet financiare të marrëveshjes nuk janë bërë të ditura nga klubi. /Kampionet/


