
Të premten, sulmuesi i Real Madridit, Kylian Mbappe, u nderua me Këpucën e Artë Evropiane, një çmim që e fitoi si golashënuesi më i mirë në Evropë gjatë sezonit të kaluar.
Është një çmim për të cilin Mbappe ka ëndërruar prej kohësh, siç tregoi në një intervistë për Marca.
Megjithatë, ai theksoi se për të më të rëndësishme janë trofetë kolektivë me Real Madridin, sesa arritjet individuale.
“Që kur isha fëmijë kam ëndërruar të shënoj gola. Çdo fëmijë që nis të luajë futboll ëndërron të shënojë, ta bëjë këtë sa më shpesh”.
“Në fund, është një çmim shumë i rëndësishëm dhe më bën shumë të lumtur, por të gjithë e dinë se arritjet kolektive janë ato që kanë më shumë vlerë”.
Kylian Mbappe/ Arda Guler
“Shpresoj të fitoj edhe një tjetër Këpucë të Artë në të ardhmen, por mbi të gjitha shpresoj që ta fitojmë kampionatin”, ka deklaruar fillimisht francezi.
Mbappe synon të përsërisë suksesin e tij me Këpucën e Artë edhe në vitin 2026, dhe për ta arritur këtë, ai do të duhet të vazhdojë bashkëpunimin e shkëlqyer në fushë me Arda Guler, për të cilin foli me shumë admiratë gjatë intervistës.
“Nuk jam i befasuar. Ai është një lojtar i ri me shumë talent. Edhe pse është ende i ri, është gati të ndihmojë skuadrën. E ka nisur sezonin në mënyrë mbresëlënëse për moshën e tij. Ka një prekje magjike që i mahnit tifozët e Bernabeut”.
“I uroj të vazhdojë kështu, sepse mund të jetë shumë i rëndësishëm për ne dhe jam i lumtur që luaj përkrah tij”, përfundoi ai./Kampionet/


