
Behar Neziri është futbollisti i radhës nga Kosova që ka filluar të lë gjurmë në futbollin zviceran, ku sot konsiderohet si ndër mesfushorët defensivë më të mirë në futbollin helvetik.
I dalë nga një prej akademive më të famshme ajo e Bayernit, Neziri vendosi që të bënte disa hapa mbrapa në karrierë, për të shkuar në Zvicër dhe doli vendim i qëlluar, pasi tani ka filluar të lë gjurmë me fanellën e St Gallenit.
22-vjeçari është ndër futbollistët e paktë kosovarë që kanë luajtur për top klube evropiane dhe nuk kanë hezituar t’i bashkohet Kosovës, madje që nga grupmoshat, U16, U19 e U21.
Në një intervistë ekskluzive për Kampionetn, Behar Neziri rrëfen rrugëtimin e tij në futboll, sfidat dhe ambiciet për të ardhmen. Në futbollin modern, rrugët drejt suksesit janë shpesh të gjata dhe të mbushura me sfida.

Neziri është shndërruar në një nga mesfushorët më të rëndësishëm të kampionatit zviceran, duke qenë lider në fushë, i palodhur në fazën mbrojtëse dhe i saktë në ndërtimin e aksioneve.
Për shumëkënd në Zvicër, ai është tashmë “zemra dhe truri i mesfushës të St Gallenit”.
Nga Augsburg te Bayerni – fillimi i rrugës drejt profesionalizmit
Futbolli për Behar Nezirin ka nisur herët. Ai u rrit në Gjermani dhe që në fëmijëri e kishte pasion topin. Karrierën e nisi te Akademia e Augsburgut, ndërsa në vitin 2016 bëri hapin e madh, duke kaluar në Akademinë e Bayern Munichut, një nga më të mirat në Evropë.
Atje, Neziri kaloi nëpër të gjitha grupmoshat, nga U15 deri te ekipi i dytë, duke fituar eksperiencë nën drejtimin e disa emrave të mëdhenj të futbollit gjerman.
2021/08/Behar-Neziri.jpg telegrafi.com
“Trajnerët e mi kanë qenë Miroslav Klose dhe Martin Demichelis, dhe kam mësuar shumë nga ta. Por më pas pata disa probleme me shpinën dhe qëndrova rreth gjysmë viti jashtë fushave. Kampi i Bayernit është një nga më të mirët në Evropë nuk mungon asgjë, çdo detaj është perfekt dhe çdo ditë mësohesh diçka e re. Nëse punon në kushte të tilla është kënaqësi dhe futbolli të duket shumë më i lehtë”, nis rrëfimin e tij për Kampionetn, Behar Neziri
Në akademinë bavareze, ai ishte shok skuadre me Jamal Musialan, Pavlovic, Kenan Yildiz dhe Arijon Ibrahimovic, Neziri e kujton me krenari atë periudhë.
“Te U17 luajta me Musialan, ndërsa te U19 me Pavlovic, Yildiz dhe Arijon Ibrahimovic. Kishim një ekip shumë të mirë dhe ishim një grup lojtarësh që sot po luajnë në nivelet më të larta në Evropë”, vazhdon ndër të tjera Neziri.
Arsyeja e largimit nga Bayerni – donte që Tuchel ta shihte nga afër
Në verën e vitit 2023, pasi kishte kaluar pothuajse shtatë vite në strukturat e klubit më të madh gjerman, Neziri mori një vendim të guximshëm për t’u larguar nga Bayern Munich.
Deri te ky vendim erdhi pasi ai luante rregullisht, ishte kapiten i klubit dhe çuditërisht në ekipin e parë shkonin futbollistë të tjerë, që shpesh herë ishin rezervistë të tij.

“Bayerni deshi të vazhdonte kontratën edhe për tre vite të tjera, por unë kisha vetëm një kërkesë: të më dërgonin për disa javë në stërvitje me ekipin e parë që Thomas Tuchel të më shihte nga afër. Nëse i pëlqeja, mirë, nëse jo, atëherë mund të vendosnin vetë për mua”.
“Sepse unë isha kapiten në çdo grupmoshë dhe luaja rregullisht, por në ekipin e parë shkonin lojtarë të tjerë. Kjo ishte arsyeja pse u largova. Isha i bindur që po të më vinte rasti në ekipin e parë do të ishe ende sot aty, pasi kam vetëbesim të madh dhe e di se çfarë cilësi kam”, vazhdon tutje Neziri.
Fillimi në Zvicër – lëndimi dhe huazimi te Wil
Pas largimit nga Minichu, ai zgjodhi St. Galleni, një klub që i ofroi një projekt të qartë për zhvillim.
Neziri kishte opsione të tjera, të shkonte në Bundesliga 2, apo edhe në klube të tjera evropiane, por zgjodhi Zvicrën pasi i pëlqeu projekti që St Gallen kishte për të.

“Kam pasur oferta nga Bundesliga 2, por më pëlqeu ideja e St. Gallenit të bëhesha gati fillimisht me ekipin U21, e pastaj të kaloja te ekipi i parë. Por pas ndeshjes sime të parë u lëndova, edhe pse ishte planifikuar që menjëherë të shkoja te skuadra e parë”.
“Pas atij lëndimi më duhej të prisja, dhe pastaj erdhi huazimi te Wil, ku jam zhvilluar shumë dhe kam fituar përvojë. Wil do të mbetet gjatë në mendjen time, pasi ishte skuadra e parë për mua në senior dhe u pjeka shumë si futbollist duke luajtur në secilën ndeshje”.
Rikthimi te St. Gallen – një lider i ri në mesfushë
Ky sezon është kthimi i plotë i Behar Nezirit te St. Galleni. Ai është bërë pjesë e pandashme e formacionit bazë, duke luajtur çdo ndeshje nga minuta e parë deri në fund dhe duke qenë ndër lojtarët me më shumë kilometra të përshkuara në fushë.
Çdo aksion i St Galeln niset nga këmbët e Nezirit, derisa ai është padyshim lideri i ri i kësaj skuadre. Neziri thotë se e dinte se do të luante te St Gallen këtë sezon, por jo që të ishte në çdo ndeshje nga 90 minuta.

“Kam vetëbesim të madh dhe edhe para tre vitesh do të mendoja se do të luaja te Bayerni, ngaqë kam pasur gjithmonë vetëbesim. Por pas kthimit nga huazimi te Wil nuk e kam menduar që do të ishte kaq mirë. E kisha paramenduar se do të ishte një vit i mirë, por që t’i luaja të gjitha ndeshjet nga 90 minuta nuk e besoja. Jam shumë i kënaqur”, vazhdon tutje mesfushori gjilanas.
St. Galleni këtë sezon është një nga skuadrat më të qëndrueshme në Superligë dhe synon një titull që nuk e ka fituar prej 26 vitesh.

“Kemi një skuadër shumë të mirë, por është ende herët, nuk është luajtur as gjysma e sezonit. Megjithatë, me këtë formë që kemi, mund të ndodh që ta fitojmë titullin. Të gjithë po punojmë për këtë”, thotë mesfushori dardan.
Ambicia për rikthim në Gjermani – dhe ëndrra për Kosovën
Megjithëse ndodhet në një moment shumë të mirë te St. Galleni, Neziri nuk e fsheh synimin për t’u rikthyer një ditë në Bundesligë madje në klubin ku u rrit, Bayern Munich.
“Në Zvicër kam ardhur për t’u zhvilluar dhe për t’u futur në futbollin profesionist, por ky nuk është maksimumi im. E shoh si një trampolinë drejt Gjermanisë apo ndonjë kampionati tjetër të madh”.

“Qëllimi im është të rikthehem një ditë në Bundesliga, pse jo te Bayerni. Gjithsesi fokusi im është të luaj sa më shumë këtu de pastaj të bëjë hapin e radhës në karrierë, qoftë në Bundesliga apo ndonjë kampionat tjetër evropian”.
Por përtej ambicieve klubiste, lidhja emocionale e tij me Kosovën mbetet e pathyeshme.
Ai zgjodhi shumë herët ta përfaqësojë Kosovën, përkundër se ishte pjesë e klubit më të madh në Gjermani dhe ndër më të mëdhatë në botë. Pa bërë drama, pa pritje të gjata, Neziri luajti për Kosovën nga U16 pasi ky ishte qëllimi i tij dhe i familjes së tij.

“E di që babi im gjithmonë ka dashur që unë të luaja për Kosovën, por edhe unë e kam dashur që në fillim. Asnjëherë nuk kam menduar se jam lojtar i Bayernit dhe e mohoj vendlindjen. Te Kombëtarja kemi qenë të gjithë të njëjtë, si ai i Llapit, i Dritës apo i Prishtinës, të gjithë me fanellën e Kosovës pa ndasi. Qëllimi ka qenë i përbashkët, të bëjmë më të mirën me fanellën e vendit tonë, pa menduar se kush në cilin klub luan”, tha Neziri.
Përkrahja e madhe nga familja, motiv shtesë për mos t’u dorëzuar
Familja luan një rol të rëndësishëm te secili futbollist, nga hapat e parë në karrierë deri në fund të saj.
Sigurisht edhe për Beharin ka qenë familja mbështetësi më i madh, pasi i kanë qëndruar pranë.
“Nëna më ka dërguar 1 orë rrugë në stërvitje te Augsuburg gjithmonë, çdo ditë. Prindërit më kanë përkrahur nga fillimi deri më sot dhe ata janë ndihma dhe motivimi im që të vazhdoj”.
“Gjithashtu përveç familjes që është e shenjtë dhe e kam gjithmonë në krah, dua ta përmend edhe agjentin tim Isi Jasharaj që ka besuar te unë, më ka qëndruar afër dhe punon vazhdimisht me mua dhe për mua”, tha ndër të tjera Neziri që nuk i harron në asnjë moment njerëzit më të rëndësishëm në karrierën e tij.
Lista e pritjes dhe fokusimi te klubi
Emri i tij është përfshirë edhe në listën e pritjes të përzgjedhësit Franco Foda, një sinjal që puna e tij po vlerësohet.
Megjithatë ai deri më tani thotë se nuk është kontaktuar nga Federata e Futbollit të Kosovës, apo selektori Franco Foda.
“E kam parë vetën në listën e pritjes dhe normalisht më ka ardhur mirë, sepse po vlerësohet puna që po bëj në fushë me klubin. Gjithsesi, mua nuk më ka kontaktuar askush, as nga Federata dhe as selektori Foda”.

“Unë jam djalë i Kosovës dhe e kam zgjedhur që nga mosha 16-vjeçare, edhe kur kam mundur të luaj për Gjermaninë. Tani jam i fokusuar vetëm te klubi dhe të shohim se çfarë do të sjellë e ardhmja”.
Në fund, Neziri e përmbyll rrëfimin e tij për Kampionetn me një mesazh që tregon maturi dhe përkushtim.

“Objektivi im është të luaj sa më shumë, të zhvillohem sa më shumë dhe qëllimi im është vetëm të luaj mirë, të mos kem lëndime dhe në fund të shohim se ku do të jem”, përfundoi Neziri.
Pra, një nga shembujt më frymëzues të një karriere që po ngrihet me përkushtim dhe karakter është ai i Behar Nezirit, mesfushorit 22-vjeçar me origjinë nga Gjilani, i cili aktualisht po shkëlqen me St. Gallenin në Superligën e Zvicrës. /Kampionet/


