
Futbolli u ka sjellë famë dhe pasuri të mëdha, por disa prej ish-futbollistëve më të njohur kanë ditur të ndërtojnë edhe perandori të suksesshme biznesi pas ose gjatë karrierës së tyre.
David Beckham, Mathieu Flamini, Gerard Piqué, Gary Neville, Lukas Podolski, Louis Saha dhe Michael Owen janë shtatë emrat e përzgjedhur nga GOAL si shembuj të futbollistëve që kanë pasur sukses të madh edhe jashtë fushës.
Shtatë ish-futbollistët tregojnë se karriera sportive nuk është domosdoshmërisht fundi i suksesit financiar. Përkundrazi, për disa prej tyre, largimi nga fusha ka qenë vetëm fillimi i një kapitulli edhe më të madh në botën e biznesit.
David Beckham – një perandori prej miliardash
Ish-ylli i Manchester Unitedit dhe Real Madridit është një nga figurat më të suksesshme të futbollit në botën e biznesit. Beckham është bashkëpronar i Inter Miamit në MLS dhe ka investime edhe në Salford City.
Sipas GOAL, pasuria e tij vlerësohet rreth 2 miliardë euro, ndërsa përmes kompanive të tij ai menaxhon një portofol të gjerë biznesesh, marrëveshjesh komerciale dhe investimesh sportive.

Mathieu Flamini – nga Arsenal te biznesi miliardësh
Mathieu Flamini është një nga rastet më interesante. Ish-mesfushori i Arsenalit dhe Milanit u përfshi në industrinë e bioteknologjisë duke bashkëthemeluar GF Biochemicals.
Kompania prodhon acid levulinik, një material me bazë bimore që mund të përdoret si alternativë më e qëndrueshme ndaj derivateve të naftës në produkte të ndryshme.
GOAL e vlerëson pasurinë e Flaminit në rreth 11 miliardë euro, megjithëse francezi ka theksuar se vlerësimi i aseteve të kompanisë nuk duhet të ngatërrohet me pasurinë personale në para të gatshme.

Gerard Piqué – Kings League dhe FC Andorra
Piqué e shndërroi pasionin për sportin në një biznes të madh mediatik. Në vitin 2017 ai themeloi Kosmos Global Holding, kompani e fokusuar në sport, media dhe argëtim.
Projekti i tij më i famshëm është Kings League, një kompeticion i futbollit me shtatë lojtarë që ka marrë një popullaritet të madh në internet dhe është zgjeruar në tregje të ndryshme.
Piqué është gjithashtu pronar i FC Andorrës, ndërsa pasuria e tij vlerësohet rreth 100 milionë euro.

Lukas Podolski – nga golat te kebabet dhe festivalet
Kampioni i botës me Gjermaninë në vitin 2014 ka ndërtuar një portofol të gjerë biznesesh.
Podolski ka krijuar rrjetin e restoranteve Mangal Döner, ka themeluar markën e akullores Ice Cream United, ndërsa është përfshirë edhe në organizimin e një prej festivaleve më të mëdha muzikore në Gjermani.
Ai është gjithashtu bashkëthemelues i Baller League dhe është bërë shumicë-pronar i klubit të tij të fëmijërisë, Górnik Zabrze.

Gary Neville – prona, media dhe futbolli
Legjenda e Manchester Unitedit ka ndërtuar një biznes të gjerë në pasuri të paluajtshme, hoteleri, media dhe sport.
Neville është bashkëpronar i Salford Cityt, ndërsa ka qenë i përfshirë në projekte si Hotel Football, Stock Exchange Hotel dhe platforma mediatike The Overlap.
Ai gjithashtu është bashkëthemelues i University Academy 92 dhe vazhdon të jetë një nga analistët më të njohur të futbollit në Angli. Pasuria e tij vlerësohet në 80-120 milionë euro.

Michael Owen – pasioni për kuajt
Fituesi i Topit të Artë në vitin 2001 ka investuar një pjesë të madhe të pasurisë së tij në garat me kuaj.
Owen bleu Manor House Stables në Cheshire në moshën vetëm 22-vjeçare dhe e shndërroi atë në një qendër moderne për trajnimin e kuajve të garave.
Sipas GOAL, pasuria e ish-sulmuesit të Liverpoolit, Real Madridit dhe Manchester Unitedit vlerësohet në më shumë se 60 milionë euro.

Louis Saha – nga futbolli në teknologji
Ish-sulmuesi i Manchester Unitedit, Fulhamit dhe Evertonit zbuloi një mundësi biznesi para pensionimit.
Saha bashkëthemeloi AxisStars, një platformë digjitale që ndihmon sportistët dhe artistët në menaxhimin e karrierës, investimeve dhe jetës pas pensionimit.

Sipas artikullit, kompania tani vlerësohet në më shumë se 5 miliardë euro. /Kampionet/


