Real Madridi ka shënuar fitore minimale me rezutat 1-0 ndaj Juventusit në kuadër të rrethit të tretë të Ligës së Kampionëve.
Mysafirët e nisën më mirë ndeshjen, duke rrezikuar në dy raste portën e Real Madridit.
Weston McKennie dhe Federico Gatti tentuan me nga një goditje jashtë zonës, por Thibaut Courtois ishte në nivel të detyrës.
Pas 20 minutave lojë, Real Madridi filloi të marrë kontrollin e ndeshjes, duke mos lejuar Juventusin të avancojë në fazën e sulmit.
Në minutën e 40-të Kylian Mbappe u gjend përballë Di Gregorios, por ky i fundit bëri një pritje fantastike për t’i mohuar golin francezit.
Vetëm tre minuta më vonë, ‘Los Blancos’ rrezikuan sërish, kësaj radhe me Eder Militaon i cili me një goditje të fuqishme brenda zonës ishte pak centimetra larg golit.
Pjesa e dytë e lojës solli edhe golin e vetëm të takimit. Në minutën e 58-të, pas një depërtimi të bukur të Vinicius Junior, i cili goditi shtyllën pas një aksioni fantastik individual, topi u kthye në zonë dhe përfundoi në këmbët e Jude Bellingham, i cili nuk gaboi dhe e çoi topin në rrjetë për 1-0.
Vetëm pak minuta më pas, Juventusi u përpoq të reagojë me një depërtim të Dusan Vlahovic, i cili tentoi me një goditje të ulët drejt cepit të djathtë të portës, por Thibaut Courtois reagoi në mënyrë të shkëlqyer dhe e ndali topin.
Real Madrid vazhdoi të sulmojë dhe të krijojë raste. Në minutën e 71-të, Mbappe u shfaq sërish i rrezikshëm, duke marrë një pasim fantastik në zonë dhe goditur me të djathtën, por Di Gregorio tregoi sërish klasin e tij me një tjetër pritje shpëtimtare.
Vetëm një minutë më pas, në minutën e 72-të, Brahim Diaz pati mundësinë të dyfishojë pas një topi të kthyer në zonë, por edhe ai u ndal nga portieri italian, që ishte padyshim lojtari më i mirë për Juventusin.
Me këtë fitore Real Madridi shkon në kuotën e nëntë pikëve në Ligën e Kampionëve, teksa Juventusi ka vetëm dy./Kampionet/