
Manchester City nuk ka ndërmend të ndalet në merkaton e verës. Vetëm gjashtë ditë pasi prezantoi Elliot Andersonin si transferimin më të shtrenjtë në historinë e klubit, kampionët anglezë po përshpejtojnë përpjekjet për të transferuar talentin maroken Ayyoub Bouaddi.
Mesfushori 18-vjeçar tërhoqi vëmendjen e botës me paraqitjet e tij të shkëlqyera me Marokun në Kupën e Botës, ku ndihmoi kombëtaren të arrinte deri në çerekfinale. Ai kishte treguar potencialin e tij edhe më herët, kur luajti në fitoren e Lilles ndaj Real Madridit në Ligën e Kampionëve pikërisht në ditëlindjen e tij të 17-të.
Lille e vlerëson Bouaddin me rreth 100 milionë euro, çka do të thotë se, së bashku me 116 milionët e shpenzuara për Elliot Andersonin, Manchester City do të investonte afro 270 milionë euro vetëm për rindërtimin e mesfushës gjatë kësaj vere.
Sipas RMC Sport, City po zhvillon negociata të dyfishta, si me Lillen ashtu edhe me përfaqësuesit e lojtarit. Raportohet se bisedimet me klubin francez janë intensifikuar ndjeshëm dhe skuadra e Pep Guardiolës ka krijuar një epërsi të konsiderueshme ndaj të gjithë rivalëve.
Edhe gazetari Fabrizio Romano ka raportuar se Manchester City është optimist se marrëveshja do të finalizohet në ditët e ardhshme. E vetmja çështje që mbetet për t’u vendosur është nëse Bouaddi do t’i bashkohet menjëherë Cityt apo do të qëndrojë edhe një sezon në huazim te Lille.

Transferimi i tij lidhet ngushtë me të ardhmen e Rodrit. Mesfushori spanjoll raportohet se është në qendër të negociatave mes Manchester Cityt dhe Real Madridit.
Edhe pse fillimisht madrilenët nuk ishin të bindur për të bërë një lëvizje, paraqitjet e Rodrit në Kupën e Botës, ku fitoi Topin e Artë të turneut, kanë ndryshuar situatën. Pavarësisht se aktualisht po rikuperohet nga një operacion në shpinë, Real Madridi ka intensifikuar interesimin për të.
Nëse Bouaddi transferohet menjëherë në “Etihad”, largimi i Rodrit do të bëhej shumë më i lehtë për Manchester Cityn. Së bashku me Elliot Andersonin, marokeni do të krijonte një dyshe të re në mesfushë, duke u dhënë liri më të madhe lojtarëve ofensivë si Rayan Cherki, Phil Foden dhe Jeremy Doku.
Në dispozicion të Pep Guardiolës mbeten edhe Nico González, Mateo Kovacic dhe Tijjani Reijnders, megjithëse e ardhmja e tyre nuk është plotësisht e sigurt. Kovacic ka hyrë në vitin e fundit të kontratës, ndërsa Gonzalez dhe Reijnders nuk patën minutat që prisnin gjatë sezonit të kaluar./Kampionet/


