
Joao Cancelo ka dalë në mbrojtje të Cristiano Ronaldos dhe Neymarit, duke insistuar se dy superyjet e futbollit botëror nuk kanë asgjë për t’u dëshmuar kritikëve të tyre në Kupën e Botës 2026.
Përpara ndeshjes së Portugalisë ndaj Uzbekistanit, Ronaldo është përballur me kritika të shumta pas paraqitjes së tij në barazimin 1-1 kundër Kongos.
Kapiteni portugez tashmë ka arritur në 10 ndeshje radhazi pa shënuar në turnetë e mëdhenj me Portugalinë, Kupë Bote dhe Kampionat Evropian, seria më e gjatë pa gol në karrierën e tij ndërkombëtare.
Në anën tjetër, Neymar ende nuk ka luajtur për Brazilin në këtë Botëror për shkak të një lëndimi në pulpë, megjithëse pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e fundit të fazës së grupeve kundër Skocisë.
Megjithatë, Cancelo beson se as Ronaldo dhe as Neymar nuk kanë nevojë të justifikohen para askujt.
“Nuk mendoj se Neymari apo Cristiano duhet t’i dëshmojnë diçka dikujt. Talenti i tyre dhe ajo që kanë arritur në futboll flasin vetë”.
“Të gjitha ato diskutime janë vetëm zhurmë. Si Cristiano ashtu edhe Neymari e dinë kush janë dhe çfarë përfaqësojnë për vendet e tyre”, deklaroi mbrojtësi portugez.
Së fundmi janë shtuar zërat se prania e Ronaldos mund të jetë më shumë pengesë sesa ndihmë për Portugalinë, por Cancelo e mohoi kategorikisht një gjë të tillë.
“Jemi më të bashkuar, jemi më të fortë. Po luajmë në Kupën e Botës dhe sigurisht që ka shumë zhurmë e tension, por kjo është pjesë e lojës”.
“Fokusi ynë është te skuadra. Jemi më të bashkuar se sa kur mbërritëm këtu. Nuk ka tension”.
Cancelo vazhdoi me lavdërimet për kapitenin portugez, duke e cilësuar atë si shembull për të gjithë grupin.
“Ai është një shembull si kapiten. Ka reaguar si një kapiten, me shumë përvojë. Dëshiron të kontribuojë dhe është model për skuadrën tonë”.
“Ai krijon hapësira me lëvizjet e tij. Statistikat e mbështesin. Ndoshta është shembulli më i madh për mënyrën se si duhet të rikuperohesh dhe të stërvitesh”.

Megjithatë, mbrojtësi pranoi se skuadra ndan të njëjtin zhgënjim për rezultatet dhe paraqitjet e deritanishme.
“Por kjo nuk e largon ndjenjën e frustrimit që të gjithë e kemi si ekip”, përfundoi ai./Kampionet/


