
FIFA ka ndarë sot (e premte) një postim tepër domethënës për Kombëtaren e Kosovës, duke e cilësuar rrugëtimin e saj si një “ngritje historike”. Në fokus është evolucioni i jashtëzakonshëm i Kombëtares së Kosovës në renditjen botërore, që nga debutimi në vitin 2016 deri te pozita rekorde që gëzojnë sot.
Sipas FIFA-s, Kosova u paraqit për herë të parë në listën e renditjes botërore në vendin e 190-të, një start modest për një kombëtare të sapopranuar në arenën ndërkombëtare.
Por, nga ai moment, progresi ka qenë i pandalshëm: ndeshje të forta, rezultate surprizuese dhe një identitet i qartë futbollistik kanë kthyer Kosovën në një histori suksesi.
Në postimin e tyre, FIFA ka theksuar avancimin në vendin e 84-të – pozicioni më i mirë i Kosovës që nga themelimi i kombëtares. Kjo ngritje shënohet si një arritje e madhe, jo vetëm statistikore, por simbolike për rritjen e ekipit dhe përkushtimin e futbollistëve që nga dita e parë.
“Një ngritje historike për Kosovën. Nga debutimi i tyre në renditjen botërore të FIFA-s për meshkuj në vendin e 190-të në vitin 2016 në vendin e 84-të sot — pozicioni i tyre më i mirë ndonjëherë. Tani ata janë në prag të një debutimi në Kupën e Botës”, ka shkruar faqja zyrtare e FIFA-s.
Ajo që tërheq edhe më shumë vëmendje është deklarata e FIFA-s se Kosova “tani është në prag të një debutimi në Kupën e Botës”. Me këtë fjali, institucioni më i lartë i futbollit i vendos djemtë e Franco Fodës mes skuadrave që po trokasin seriozisht në arenën më prestigjioze të futbollit botëror.
Postimi i FIFA-s vjen si një vlerësim i hapur për rrugëtimin e Kosovës, një njoftim që përforcon besimin se futbolli kosovar ka hyrë në një epokë të re – epokë në të cilën ëndrrat e dikurshme po shndërrohen gradualisht në objektiva të prekshëm. /Kampionet/



