
Liverpool thuhet se është e interesuar të nënshkruajë me një sulmues shumë të vlerësuar në afatin kalimtar të janarit, por do të përballet me konkurrencën e Juventusit për transferimin e tij.
Skuadra e Arne Slot ka pasur një fillim të vështirë në mbrojtjen e titullit të Ligës Premier.
Pas humbjes 3-0 të së dielës ndaj Manchester Cityt në “Etihad”, “Të Kuqtë” renditen në vendin e tetë në ligë, me pesë humbje dhe gjashtë fitore në 11 ndeshjet e para, tetë pikë prapa kryesuesve të Arsenalit.
Sipas gazetës italiane La Gazzetta dello Sport, Liverpool do të garojë me Juventusin për anësorin e Bayern Munich dhe kombëtares gjermane, Serge Gnabry, i cili pritet të mbetet pa kontratë së shpejti.
30-vjeçari e nisi karrierën në Angli me Arsenalin përpara se të largohej drejt Ëerder Bremenit në vitin 2016, pas një huazimi të pasuksesshëm te West Bromwich Albion.
Serge Gnabry
Që prej bashkimit me Bayernin në vitin 2017, ai është përmirësuar ndjeshëm, duke ndihmuar bavarezët të fitojnë gjashtë tituj të Bundesligës dhe një trofe të Ligës së Kampionëve, ndër të tjera.
Gnabry, i cili mund të luajë edhe si sulmues i dytë, është nën kontratë deri në qershor 2026, që do të thotë se mund të nënshkruajë paraprakisht me një klub tjetër kur kontrata t’i ketë mbetur më pak se gjashtë muaj.
Sipas Capology, reprezentuesi gjerman fiton rreth 362,885 mijë euro në javë, duke e bërë atë lojtarin e katërt më të paguar të Bayernit, pas Harry Kane, Manuel Neuer dhe Joshua Kimmich.
I njëjti nivel page do ta rendiste Gnabryn si lojtarin e tretë më të paguar te Liverpool, pas Mohamed Salah dhe Virgil Van Dijk./Kampionet/


