
Kombëtarja e Sllovenisë ka vazhduar përgatitjet në Qendrën Kombëtare të Futbollit Brdo, në prag të përballjes së së shtunës kundër Kosovës, që do të zhvillohet në stadiumin “Stozice” të Lubjanës.
Mbrojtësi Vanja Drkusic, që luan në kampionatin rus me Zenitin, ka deklaruar se atmosfera në kombëtaren sllovene është shumë pozitive dhe se skuadra është e fokusuar për të fituar gjashtë pikët maksimale në dy ndeshjet e ardhshme.
“Përgatitjet nuk ndryshojnë nga herët e kaluara. E dimë çfarë duhet të bëjmë – të fitojmë gjashtë pikë. Atmosfera është e shkëlqyer, të gjithë jemi të motivuar dhe mezi presim ndeshjet që vijnë”, ka thënë Drkusic.

Ai ka theksuar se mbrojtja e fortë do të jetë çelësi i suksesit, ashtu si në Kampionatin Evropian, ndërsa ka pranuar se mungesa e Benjamin Seskos, sulmuesit të Manchester Unitedit, është një humbje e madhe për ekipin.
“Gjithçka fillon nga mbrojtja e mirë. Kështu arritëm rezultatet në Evropian. Duhet të besojmë në atë që po bëjmë dhe golat do të vijnë. Mungesa e Benjaminit është një hendikep i madh, por kjo është pjesë e futbollit – do të duhet të ia dalim pa të. Do të luajmë edhe për të”, ka shtuar 26-vjeçari.
Drkusic e kujton mirë ndeshjen e parë në Prishtinë, e cila përfundoi 0-0, dhe beson se këtë herë në shtëpi Sllovenia do të kërkojë fitoren me çdo kusht.

“Në Kosovë luajtëm mirë dhe, sipas mendimit tim, e merituam fitoren. Këtë herë luajmë para tifozëve tanë dhe duhet të jemi të përqendruar. Kosova ka lojtarë të mirë dhe do të vijë e motivuar, por edhe ne jemi gati për sfidën”, përfundoi ai.
Deri më tani, Sllovenia dhe Kosova janë përballur tri herë, me bilanc që shkon në dy fitore për sllovenët dhe një barazim. /Kampionet/


