
Fabrizio Romano ka dhënë një përditësim mbi të ardhmen e trajnerit të Liverpoolit, Arne Slot, pas humbjes së rëndë 3-0 ndaj Manchester Cityt të dielën.
Kampionët e Ligës Premier dukeshin se kishin marrë kthesën e duhur pas fitoreve mbresëlënëse ndaj Aston Villas dhe Real Madridit në “Anfield”, por u mposhtën bindshëm në “Etihad Stadium”, në ndeshjen e 1000-të të Pep Guardiolës si trajner.
Erling Haaland hapi serinë e golave për vendasit pasi fillimisht kishte humbur një penallti, ndërsa Nico Gonzalez dhe Jeremy Doku vulosën fitoren me goditje nga distanca, pasi një gol i Virgil Van Dijk u anulua në mënyrë kontroverse për shkak të një pozicioni jashtë loje nga Andy Robertson.
Liverpool nuk arriti të regjistronte asnjë goditje në portë deri në minutën e 75-të të takimit, një rezultat që e lë skuadrën në vendin e tetë në Premier League, tetë pikë larg Arsenalit pas 11 ndeshjeve.
Megjithatë, pavarësisht ecurisë zhgënjyese, Romano thekson se Liverpool vazhdon ta shohë Arne Slotin si njeriun e duhur për të drejtuar projektin dhe nuk ka asnjë synim për të kërkuar një trajner tjetër.
Arne Slot
“Një moment vërtet i vështirë për Liverpoolin në Ligën Premier. Pavarësisht disa rezultateve të mira së fundmi, ndaj Manchester Cityt skuadra nuk ishte në nivelin e duhur. Liverpool ishte në një situatë të ndërlikuar dhe humbi 3-0”.
“Por ajo që mund të themi me siguri është se informacionet janë shumë të qarta: Liverpool vazhdon ta mbështesë trajnerin Arne Slot. Klubi ruan besimin e plotë te ai dhe beson se është njeriu i duhur për ta përmirësuar situatën”.
“Liverpool ruan plotësisht besimin. Nuk ka pasur asnjë kontakt me ndonjë agjent apo përfaqësues të ndonjë trajneri tjetër. Ka mbështetje dhe besim të plotë te Arne Slot”, ka thënë Romano./Kampionet/


