
Lionel Messi kaloi dy vite në Paris me PSG-në pas largimit nga Barcelona në vitin 2021. Megjithëse fitoi kampionatin në Francë, periudha e tij te PSG-ja konsiderohet përgjithësisht zhgënjyese, sidomos për një legjendë futbolli të nivelit të tij.
Në një intervistë për Diario Sport, Messi shpjegoi arsyet pse e pati kaq të vështirë në Paris.
“Mund të duket sikur Parisi ishte një ‘ferr’, por nuk ishte ashtu. Kur them se nuk kam kaluar mirë, nuk është sepse nuk ndihesha mirë me atë që bëja apo me futbollin, me stërvitjet, ndeshjet, jetën e përditshme, por sepse nuk ndihesha mirë me veten time”.
“Megjithatë, për të qenë i sinqertë, si familje patëm një përvojë shumë të mirë; qyteti është spektakolar dhe e shijuam. Ishte hera e parë që largoheshim nga Barcelona dhe gjithçka ishte e re për ne, ndaj edhe ishte shumë e vështirë, jo për shkak të ndonjë dëmtimi, por thjesht ndodhi kështu”.
Lionel Messi
“E vërteta është se nuk ndihesha mirë në jetën e përditshme duke bërë atë që dua më shumë. Këtu, përkundrazi, ndihemi shumë mirë, e shijojmë qytetin dhe përditshmërinë”.
“Siç thashë, jeta këtu është shumë e ngjashme me atë që kisha në Castelldefels, klubi afër, shkolla e fëmijëve shumë pranë, gjithçka lehtësisht e arritshme dhe komode”.
“Jetojmë jashtë qytetit, i cili është i mrekullueshëm, por trafiku është i rënduar”, ka thënë Messi./Kampionet/


