
Përzgjedhësi i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, ka folur për të ardhmen e Marc-Andre ter Stegen dhe mundësinë që të rikthehet në kombëtare, duke e paralajmëruar portierin se pa minuta në fushë, rikthimi do të jetë i vështirë.
Ter Stegen është rikthyer pas një lëndimi që pësoi te Barcelona, megjithatë pritet të mos jetë titullar shkaku se Hansi Flick preferon Joan Garcian.
“Folëm shkurt në telefon javën e kaluar. Ai është mirë, dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për momentin”.
Sipas trajnerit, merkatoja e janarit do të jetë vendimtare për portierin e Barcelonës. “Afati i dimrit nuk është i lehtë. Nuk është kusht që ai të luajë për një klub të madh, kjo është çështje interpretimi. Ajo që ka rëndësi është që ai të luajë, sepse nuk është më 22 vjeç”.
Marc andre Ter Stegen
“Nuk ka rëndësi nëse është një klub i madh evropian apo jo. Sigurisht, do të ishte mirë që të luante dhe të paraqitej mirë, por më e rëndësishmja është që të luajë. Për momentin nuk ka asgjë të re, situata nuk është e thjeshtë”.
Nagelsmann theksoi se situata e Ter Stegenit varet edhe nga klubet që kërkojnë portierë në janar.
“Duhet të shohim si është fizikisht, sepse tani është rikthyer në stërvitje. Duhet ta shohim edhe nga këndvështrimi i klubeve – duhet të ketë ndonjë skuadër që nuk është e kënaqur me portierin e vet. Përndryshe, është e vështirë të nënshkruash me një portier të këtij niveli në mes të sezonit. Por jam i bindur se ndonjë klub do të lëvizë, sepse Marc është një portier i madh dhe tani është sërish në formë të plotë”, përfundoi Nagelsmann./Kampionet/


